E Diel, 1 Nëntor 2026

Benitez optimist për arritjen e vendit të katërt

BRITANI- Rafa Benitez beson se Liverpuli do të arrijë të dalë nga momenti i keq dhe të jetë sërish në katër vendet e para në Premier Ligë, pavarësisht se të shtunën e kaluar pësoi humbjen e 7-të këtë sezon. Tekniku spanjoll u ka kërkuar futbollistëve që të fitojnë çdo ndeshje, duke nisur që nga ajo e së shtunës kundër Ulvs në kampionat. “Duhet të fitojmë çdo takim, duhet të mendojmë vetëm për këtë, sepse asnjëherë nuk i dihet se çfarë ndodh”, tha Benitez, duke shpresuar që ekipi i tij të jetë në zonën Champions në fund të sezonit. “Këtë vit çdo skuadër do të humbasë më shumë ndeshje, - deklaroi trajneri i Liverpulit. – Në vitet e fundit ne kemi qenë gjithnjë shumë mirë në pjesën e dytë të sezonit dhe mund ta bëjmë sërish këtë”, u shpreh ai. Liverpuli ndodhet aktualisht në vendin e tetë në Premier Ligë, duke bërë një nga nisjet më zhgënjyese të sezonit. Të kuqve u duhet të rekuperojnë 8 pikë për të qenë mes 4 më të mirëve. Aston Vila, Mançester Siti dhe Totenhemi tashmë janë kthyer në rivalet direkte të Liverpulit. “Mendoj se Siti, Totenhemi dhe Vila po ecin shumë mirë dhe ne duhet të konkurrojmë me ta, - tha Benitez. – Por, edhe një vit më parë ata po ecnin shumë mirë dhe pastaj pësuan disa humbje. Ndryshimi me këtë sezon është se ata kanë shpenzuar shumë para dhe kanë futbollistë të mirë, kështu që do të jetë pak e vështirë t’i lëmë pas”, deklaroi trajneri spanjoll. Benitez u ka kërkuar një mbështetje më të madhe tifozëve për të ndihmuar skuadrën të rikthehet në lojën e saj. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›