Dinamo bën goditjen e dytë, Vila rikthehet tek blutë
Autori i Lajmit: RedaksiaTiranë - Në pritje për të gjetur një "klient" të volitshëm për shitjen e Elis Bakajt, Dinamo ka bërë goditjen e parë të madhe në merkaton e janarit, duke transferuar në kryeqytet Emiljano Vilën. Mesfushori 21-vjeçar, i cili është cilësuar si një nga talentet e futbollit shqiptar në vitet e fundit ka arritur një marrëveshje me klubin blu dhe do të luajë në formë huazimi deri në fund të këtij sezoni. Pas një forme të shkëlqyer në kampionatet e fundit të skuadra e Teutës, Vila fitoi vendin në Kombëtare, duke u veçuar edhe nga kroatët e Dinamos së Zagrebit. 21-vjeçari u transferua në kampionatin kroat vitin e shkuar, por nuk arriti të gjente hapësira në skuadrën e Dinamos së Zagrebit, e cila e dha atë në formë huazimi te skuadra tjetër e kryeqytetit kroat, Lokomotiva. Pas kësaj aventure, Vila do të jetë përsëri pjesë e kampionatit shqiptar të futbollit, duke u rikthyer në formë huazimi te Dinamo. Skuadra blu e kryeqytetit në këtë mënyre ka bërë goditjen e parë të rëndësishme në merkaton dimërore, duke lënë pas rivalet e saj, të cilat ende nuk kanë konfirmuar asnjë transferim në janar. Vetëm pak ditë më parë, në dispozicion të trajnerit Shkëlqim Muça është vënë edhe sulmuesi argjentinas Maksimilian Timpanaro, ndërkohë që vazhdojnë të jenë në provë disa lojtarë të tjerë, të cilët, nëse bindin stafin teknik do të jenë pjesë e skuadrës blu, e cila është edhe kryesuesja e këtij kampionati. Ndërsa mbrojtësi i majtë Vladimir Jovanoviç është stërvitur me blutë në Tiranë disa ditë. Ai do të kryejë një provë dyjavore dhe më pas do të vendoset e ardhmja nga stafi dinamovit. Një tjetër futbollist që do të vërehet në Turqi është edhe Semirian Çela. Një tjetër përforcim për Muçën është edhe ish-mbrojtësi i Vllaznisë, Elvin Beqiri. Ekipi i Dinamos në 17 javët e para të këtij kampionati pothuajse ka arritur të prekë më njërën dorë titullin kampion (për Blutë do të ishte i 18-i në histori). Skuadra e Muçës në 17 ndeshje ka marrë plot 42 pikë, plot 12 më shumë se sa ekipi i dytë, Besa (ka një takim më pak). Ndërsa rivalët e bardheblu e shohin ekipin ekipin e Dinamos Nga vendi i tretë të distancuar me plot 13 pikë. Ditët e para të janarit ekipi i Dinamos është kthyer në një nga skuadrat më aktive të Kategorisë Superiore Shqiptare. Edhe pse stërvitjen e kanë nisur prej ditësh, drejtuesit e “nëndetëses blu” kanë menduar që ti dhurojnë sado pak qetësi skudrës duke e dërguar atë në Turqi. Nga ana tjetër ekipi i Dinamos këtë fillimviti po bie në sy edhe për sa i përket merkatos. Djemtë e Shkëlqim Muçës, edhe pse kryesojnë bindshëm Kategorinë Superiore, nuk i kanë munguar merkatos. Mendohet se blerjet që ka bërë Dinamo do të mund ti hapin rrugë largimeve të bujshme nga Shqipëria, siç është ai i Elis Bakajt. Dy ditë më parë skuadra e Dinamos ka kryer një seancë stërvitore, e cila është zhvilluar nga Kodrat e Liqenit. Ndërsa dy ditë më parë “blutë” udhëtuan drejt Antalias. Burimë pranë klubit bëjnë të ditur se futbollistët do të kryejnë fazën përgatitore në “Fame Rezidenc”. Në Turqi skuadra e Muçës do të qëndrojë për 12 ditë me radhë.
Ky lajm është publikuar: 07/01/2010