Serie A Inter kryeson i qetë, frymëmarrje për Ferrarën
Autori i Lajmit: Redaksia
Itali - Në një orar të pazakontë për Serie A, Interi ka fituar ndeshjen e vështirë në fushën e Kievos duke u imponuar 0-1 dhe duke marrë 3 pikë me vlerë, në një terren që linte shumë për të dëshiruar në Verona. Zikaltërit e trajnerit Murinjo kanë kaluar në avantazh ndaj vendasve të trajnerit Di Karlo që në minutën e 12 në stadiumin "Bentegodi". Ishin një seri tentativash që shënjestruan portën e Sorrentinos por goli mbajti firmën e Mario Balotelit. Ky gol i talentit me origjinë ganeze i ka mjaftuar Interit për të vendosur ndeshjen. Për tu theksuar ishte prezenca si titullar, e maqedonasit të ardhur nga Lazio, Goran Pandev, i cili u ble në janar.
Baloteli, dhe polemikat skanë të sosur
Autori i golit të fitores së Interit në transfertën e Kievos, Mario Baloteli, është vërshëllyer nga tifozët vendas pas daljes nga fusha. Prej këtij momenti ka filluar polemika e SuperMarios: “Mund të them diçka? Ajo që dua të them është se sa herë që vij të luaj këtu, më shpifet gjithnjë e më tepër. Me të vërtetë, ky publik është i papranueshëm”. Menjëherë ka ndërhyrë Hoze Murinjo, që është munduar të qetësojë situatën: “Verona është një qytet shumë i bukur. Shoqëria është e edukuar, njerëzit janë të sjellshëm, klubi është i organizuar mirë, trajneri është i zoti. E vlerësoj atë që kanë bërë gjatë këtij kampionati dhe në qoftë se ndodh diçka në tribunën e stadiumit, nuk do të thotë asgjë, nuk është dramë. Ishte një ndeshje profesionistësh. Dëgjova edhe ndonjë fjalë kundër meje, por nuk ka ndodhur asgjë”.
Pandev: “Është lehtë të luash tek Interi”
Sulmuesi maqedonas, Goran Pandev, është shprehur i kënaqur me debutimin e tij me fanellën e Interit duke thënë se është lehtë të luash në një skuadër të tillë. “Jam i lumtur me këtë debutim. Jam i lumtur për veten dhe për ekipin. Luajtëm mirë dhe fituam në një terren të vështirë. Dëshiroj ti falënderoj të gjithë, nga trajneri deri te bashkëlojtarët. Jam i lumtur që u ktheva në fushë, pas më shumë se pesë muajsh pushim. Bashkëlojtarët e mi të rinj janë kampionë të vërtetë, ata më ndihmuan shumë. Interi është skuadra më e fortë në Itali. Është lehtë të luash në një ekip të tillë”, - ka thënë Pandev.
Kivu rrezikon jetën
Frikë e madhe për jetën e mbrojtësit rumun Kristian Kivu, që në një përplasje në lojë me sulmuesin Pellissier ka pësuar një frakturë në kafkë. Futbollisti ballkanas iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për dy orë në një spital në Verona, por gjendja e tij nuk është mirë. "Shpresojmë se do ta marrë veten shpejt, por nga ajo përplasje do të vuajë një kohë të gjatë rikuperimi”, - tha trajneri Josè Murinjo. Ndërkohë agjenti i futbollistit, Viktor Bekali, u shfaq më optimist se tekniku portugez. “Nuk është ndonjë gjë e rëndë, por ka disa hematoma. Kristian do të qëndrojë në spital për kontrolle të mëtejshme. Jo mungesë e gjatë. Klubi zikaltër bëri me dije se operacioni ishte i nevojshëm për të korrigjuar një frakturë në pjesën e djathtë të zonës parietale, si pasojë e së cilës ishte krijuar një enjtje. Mjekët që realizuan ndërhyrjen janë shprehur tepër optimistë në lidhje me gjendjen e futbollistit. Vetë Franko Kombi, mjeku i Interit, i cili ka marrë pjesë gjatë operacionit, ka deklaruar se ndërhyrja ishte e suksesshme dhe gjendja e Kivusë do të përmirësohet shpejt. “Është ende herët për të thënë se kur do të dalë nga spitali, por kemi besim se gjithçka do të shkojë mirë”, - sqaroi doktor Kombi.
Tri pikë për Juven
Bardhezinjtë e kanë nisur me fitore vitin 2010, duke iu rikthyer rezultatit pozitiv pas krizës së muajit të fundit. Ekipi i Çiro Ferrarës ka marrë një tripikësh tepër të çmuar në transfertën e “Tardinit” përballë Parmës, duke kaluar përkohësisht në vendin e dytë. “Zonja” mposhti vendasit 2-1, me gola të Salihamixhiç që në minutën e tretë dhe autogoli të Kastelinit në të 39-tën, duke e bërë të pavlefshëm barazimin e përkohshëm të Amoruzos në minutën e 25-të. Një fitore me vuajtje për Juven, pasi prej minutës së 74-t u detyrua të luajë me dhjetë lojtarë, pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Kaseres. Tashmë Ferrara mund të marrë frymë i qetë dhe të përqendrohet në përballjen vendimtare me Milanin në fundjavë.
Barazon Roma
Verdhekuqtë nuk arritën të administrojnë avantazhin e dyfishtë, duke pësuar dy gola në minutat shtesë dhe duke lënë dy pikë të vlefshme në “Sant Elia”. Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë, ku David Pizarro kaloi kryeqytetasit në epërsi në minutën e 50-të me penallti, gol që u pasua nga Perrota në të 65-tën. Por vendasit treguan edhe një herë se nuk mposhten lehtë në fushën e tyre, duke barazuar në ekstrem me anë të Lopez në minutën e 90-të dhe ish-romanistit Konti në të 92-tën. Një rast i humbur nga skuadra e Klaudio Ranierit, që tashmë kalohet në renditje nga Napoli. Pas këtij barazimi, Roma e sheh veten në vendin e pestë në kuotën e 29 pikëve, një më pak se skuadra e Valter Mazarrit, për të cilën ëndrra “Champions” po bëhet gjithnjë e më e afërt.
Ndeshjet e tjera
Në javën e 18-të të kampionatit italian kanë fituar edhe Napoli, Bari e Katania. Sampdoria barazon me Palermon në shtëpi. Fiorentina ka shkatërruar 5-1 në transfertë Sienën e vendit të fundit. Dopieta e Xhilardinos (37 dhe 66) dhe golat e Kroldrup (5), Santanës (29) dhe Mutu (79) fundosën edhe më tepër vendasit, që zhyten edhe më thellë në fundin e tabelës në kuotën e 12 pikëve, ndërkohë që ekipi i Çezare Prandelit ngjitet në kuotën e 27 pikëve. “Shfryn” edhe Lacio, që mposht 4-1 në “Olimpiko” Livornon. Miqtë kaluan të parët në epërsi me anë të Bergvold që në minutën e shtatë, por në pjesën e dytë skuadra kryeqytetase ishte e pandalshme, duke shënuar katër gola. Serxho Flokari e nis me një dopietë aventurën e tij tek bardhekalrit (48 dhe 55), ndërkohë që Roki në minutën e 72-të dhe Kolarov me penallti në minutën e fundit vulosën suksesin e Lacios, që tashmë i largohet zonës së “ftohtë”. Napoli ka shënuar suksesin e radhës, kësaj here në transfertën e Atalantës. 2-0 për të besuarit e Valter Mazarrit ka përfunduar takimi i luajtur në “Bergamo” (Kualjarela 7 dhe Pacienca 58), sukses që e ngjit Napolin në vendin e katërt, duke bërë që jugorët të besojnë akoma më tepër në kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Nuk ndalet as Bari, që në fushën e vet mposhti 2-0 Udinezen. Megorini në minutën e pestë dhe Barreto në të 68-tën vulosën suksesin e vendasve, që vazhdojnë të befasojnë dhe tashmë e shohin veten në vendin e tetë me 27 pikë (aq sa Fiorentina dhe Palermo). Fitore të rëndësishme ka arritur edhe Katania në fushën e vet, në përballjen direkte me Bolonjën. Skuadrës së Mihajloviçit i ka mjaftuar një gol i Spolit nëntë minuta para përfundimit, për të marrë tri pikë të arta në luftën për mbijetesë. Sampdoria nuk shkoi më tepër se një barazim 1-1 në “Marasi” përballë Palermos. Kasano iu përgjigj menjëherë në minutën e 42-të golit të Kavait, që vetëm 60 sekonda më parë kishte kaluar në epërsi skuadrën e tij.
Ky lajm është publikuar: 07/01/2010