Testi, kombëtarja mposhtet 1-2 nga Adanaspori
Autori i Lajmit: Redaksia
Antalia - Shqipëria (B) humbi 2-1 miqësoren me Adanasporin, klubin turk të Kategorisë së Dytë (vendi i pestë), në takimin e zhvilluar në Belek të Antalias. Golin e vetëm të përfaqësueses (së kampionatit shqiptar) e shënoi mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila (66) me një gjuajtje jashtë zonës, por ai shërbeu sa për statistikë, pasi Adanspor udhëhoqi 2-0. Sipas faqes zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, fshf.org, trajneri i Kombëtares, kroati Josip Kuzhe, e nisi takimin me këtë formacion: Moçka (Flamurtari), Lila (Tirana), Pisha (Dinamo), Shoshi (Apolonia), Samina (Gramozi), Muça(Dinamo), Sefa (Tirana), Muzaka (Tirana), Bakaj (Dinamo), Vila (Lokomotiva Zagreb) dhe Bala (Vllaznia). Kombëtarja, gjithnjë sipas fshf.org, nuk zhvilloi një lojë të mirë në pjesën e parë të mbyllur me fitoren 1-0 nga ana Adanasporit. Me fillimin e fraksionit të dytë të ndeshjes, skuadra turke shënoi shumë shpejt edhe golin e dytë. Më pas pasuesi i holandezit Ari Han ndërroi portierin Moçka për Sulejman Hoxhën (Apolonia), duke vazhduar me mbrojtësit Ditmar Bici (Tirana), Olsi Gocaj (Kastrioti), mesfushorët Emiljano Veliaj (Laçi), Sabien Lilaj (Tirana), për tua lënë radhën sulmuesve Sokol Cikalleshi (Besa), Odise Roshi (Flamurtari) dhe Vasil Shkurtajt (Olimpiakos i Pireut). Bala, Roshi, Cilalleshi e Veliaj kanë pasur raste për të shënuar, por nuk janë treguar të saktë përballë portës të Adanasporit. Ndeshja e radhës e Kombëtares (B) do të zhvillohet, më 9 janar, ndërkohë që skuadra do të vazhdojë grumbullimin sipas programit me dy seanca stërvitore.
Ky lajm është publikuar: 07/01/2010