Këshilltari i Berluskonit në Shqipëri: Situata e kapërcyeshme
Autori i Lajmit: Silvana BalliuKëshilltari i Berluskonit, një nga inxhinierët e digave më të mëdha, Roberto Guercio qetëson shqiptarët, duke garantuar se digat të sigurta. Një helikopter i posaçëm është dërguar për të marrë këshilltarin special të Kryeministrit Berluskoni për Komitetin e Mbrojtjes së Digave në Itali, i cili me të mbërritur në Shqipëri është takuar urgjent me ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti. Këshilltari i Berluskonit Guerco e ka cilësuar situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi, problematike, por jo alarmante, dhe sipas tij, Italia është në krah të Shqipërisë në këtë situatë kritike, por jo dramatike. Ndërsa, ministri i Ekonomisë Dritan Prifti ka deklaruar se asnjë rrezik nuk do të vijë vendit nga digat dhe është kërkuar mbështetje logjistike me aparatura satelitore dhe ekspertë si këshilltarë. Për ministrin e jashtëm Ilir Meta, mbështetja e Italisë është për tu vlerësuar dhe tregon partneritet të mirë. Në takim është folur për të krijuar një grup permanent për këtë krizë.
Takimi Berisha-Guerco
Këshilltari i Berluskonit ka takuar po dje, kryeministrin Sali Berisha. Guercio i ka komunikuar se me urdhër të Berluskonit, është kthyer urgjent nga SHBA-ja drejt Shqipërisë, për të siguruar mbështetjen totale të qeverisë italiane në kapërcimin e kësaj situate plotësisht të menaxhueshme, siç u shpreh ai. Guercio theksoi se e njeh situatën në Shqipëri, digat dhe specifikat e tyre, si dhe kompetencën e inxhinierëve dhe teknikëve shqiptarë, duke u shprehur i bindur se kjo situatë është plotësisht e kapërcyeshme. “Është e rëndësishme, - u shpreh ai - që qytetarët të shohin dhe të vlerësojnë që autoritetet dhe profesionistët po përballojnë me seriozitet situatën, duke qenë të sigurt në administrimin e asaj që ka ndodhur dhe në projeksionin e evenimenteve që do të vijnë”. Kryeministri e njohu të dërguarin italian me situatën e krijuar si rezultat i prurjeve të jashtëzakonshme ujore në basenin e Drinit, si dhe me problematikat e shkarkimeve të ujit përgjatë të gjithë kaskadës së Drinit dhe me problemet e përmbytjeve në ultësirën e Nënshkodrës. Roberto Guercio si dhe ambasadori italian, Saba DElia ofruan mbështetjen dhe asistencën e tyre dhe të shtetit italian në përballimin e kësaj situate, qoftë në aspektin e sigurisë së digave, qoftë në aspektin e emergjencave civile.
Raporti i ministrit Prifti
Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti kërkon solidaritet nga të gjithë për të mbështetur menaxhuesit e situatës së pazakontë në të cilën gjendet një pjesë e Shqipërisë, ndërkohë theksoi se po bëhet përpjekje për kontrollimin e gjendjes. Në një dalje publike, Prifti theksoi se situata po kontrollohet nga ekspertët më të mirë, duke hedhur poshtë kështu akuzat e zërave kundër, të cilët dyshojnë se në hidrocentrale janë emëruar njerëz pa përvojë. Prifti njoftoi se në Fierzë shkarkimi nga portat është 650 metër kub/sekondë dhe 500 metër kub/sekondë nga turbinat; në Koman derdhet nga tuneli 1500 metër kub/sekondë dhe 500 metër kub/sekondë nga turbinat dhe në Vaun e Dejës 1700 metër kub/sekondë derdhet nga tuneli dhe 560 nga turbina. Ministri u shpreh se të ashtuquajtur specialistë, të cilët janë përfaqësues të Partisë Socialiste kanë shpifur me shifrat e dhëna. Prifti shpërndau një shpjegim të rregullores për kuotat e liqenit dhe ku në tre muajt e fundit të vitit 2009, niveli i lejuar është 290 metra.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2010