Dinamo dhe marrëdhëniet me publikun

Asnjë nga gazetat e nesërme apo agjencitë e lajmeve sot, sportive ose jo, nuk do të ketë një foto të Redi Jupit në castin e prezantimit të tij sot si trajner i Dinamos. Arsyeja është e thjeshtë: Nuk i ka lajmëruar kush. Në prezantimin e futbollistit të njohur ishte i pranishëm një numër i madh gazetarësh e kameramanësht, por të gjithë ishin të lajmëruar rastësisht, nga njëri-tjetri. Fatkeqësisht, është një praktikë tashmë e rëndomtë në marrëdhëniet e klubit të famshëm me publikun, me të cilin komunikon nëpërmjet medias. Presidenti Besnik Sulaj bëri një paralelizëm me Celsin e Londrës, duke iu referuar emërimit të dikurshëm të lojtarit Xhanluka Viali në rolin e trajnerit. Dy vjet më parë, pas ardhjes së përgatitësit atletik Stefano Neri, vëllai i të cilit punonte te Juventus, Sulaj përdori një paralelizëm të ngjashëm: "Tani Dinamo është si Juventusi". Nuk ia vlen barra qeranë të shkruash sa larg janë ato nga Dinamo e klubet e tjerë shqiptare, këtë e dinë të gjithë. Secili ka të drejtë të ëndërrojë, madje bën mirë edhe nëse synon të jetë si më të mirët. Por nëse për momentin Dinamo e të tjerë nuk mund të jenë si Celsi e Juventus përsa u përket asaj që nxjerrin në fushë, të paktën duhet të përpiqet të ndjekin shembullin e tyre atje ku është plotësisht e mundur: Në marrëdhëniet me publikun. Dinamo, shkarkoi trajnerin dhe, ashtu si të gjitha klubet e tjera shqiptare, nuk mori mundimin të bënte një njoftim zyrtar. Emëroi dhe prezantoi sot trajnerin e ri, dhe përsëri nuk mori mundimin të bënte një njoftim zyrtar. Një gjë e tillë nuk ndodh kurrë te Celsi apo Juventus e në gjithë klubet e tjerë të cilëve dëshirojnë t'u ngjajnë klubet shqiptare. Celsi, Juve e kompani kanë nga një "ushtri" zëdhënësish, Dinamo e ka mundësinë dhe do t'i mjaftonte të kishte një. Nuk është luks, por një detyrim. Zëdhënësi i shtypit është një nga kriteret "A" në manualin e licensimit të UEFA-s, një nga kriteret e detyrueshëm për cdo klub që dëshiron të marrë pjesë në Kupat e Evropës, atje ku Dinamo synon të shkojë cdo vit.