E Shtunë, 31 Tetor 2026

Redi Jupi, trajneri që do ta drejtojë Dinamon nga fusha

Nga Altin B. Kodra

Redi Jupi ka hyrë sot në folklorin e futbollit shqiptar, kur ka pranuar që të marrë përsipër postin e trajnerit të Dinamos, të lënë vakant nga shkarkimi, pak ditë më parë, i Faruk Sejdinit. Ajo që e bën Jupin të vecantë, është fakti se ai do të jetë i pari lojtar që do të kryejë gjithashtu edhe rolin e trajnerit. Në fakt, ka ardhur si një rrufe në qiellin e pastër lajmi se lojtari i Kombëtares ka marrë përsipër një përgjegjësi të dyfishtë, vecanërisht kur, deri sot paradite, ishte e sigurt ulja në pankinën blu të kryeqytetit e Ilir Dajës, trajnerit që udhëhoqi sezonin e shkuar Elbasanin drejt të parit "titull" kampion në 23 vitet e fundit. Edhe vetë Jupi ka pohuar se ky vendim ishte marrë brenda një kohe shumë të shkurtër dhe se, as ai vetë, nuk e kishte menduar një gjë të tillë. "Ka qenë një vendim që unë e kam marrë vetëm para një ore e ca", - ka deklaruar lojtari/trajner i Dinamos në prezantimin që i është bërë para skuadrës dje pasdreke. - U ulëm me presidentin dhe drejtuesit e tjerë të klubit dhe diskutuam për të gjitha aspektet e një vendimi të tillë dhe, unë vendosa që t'i them "po" ofertës që më bëhet nga klubi im. Natyrisht, që kur kam thënë "po", i kam marrë parasysh të gjitha pasojat." Jupi, autor i një goli gjatë këtij edicioni në fitoren 2-0 të Dinamos kundër Kastriotit, edhe pse do të jetë në rolin e trajnerit të bluve do të jetë sërish një prej futbollistëve. Një gjë nuk dihet ende nëse do ta pranojë Sektori i Garave të ulet në pankinë e Dinamos, kur dihet se futbollisti i njohur nuk e ka një të tillë, si "A". Dinamo ndodhet në një prej krizave më të thella, kur në 8 takime ka pësuar 5 humbje. Gjithsesi, për kreun e ri të pankinës blu, ajo që ka më tepër rëndësi, është që skuadra të kthejë fillimisht në lojën e saj dhe, bashkë me lojën, do të vijnë edhe rezultatet. "Nuk mund të flasim për momentin për synime apo objektiva konkrete, - ka theksuar ai dje, duke folur për shtypin gjatë prezantimit të tij si trajner. - Së pari, për mua, ajo që ka rëndësi, është rritja e ndjeshme e nivelit të lojës sonë, pasi këtë ua kemi borxh tifozëve tanë, drejtuesve të klubit dhe kujtdo që është i lidhur me këtë klub. Synimi im si trajner është që skuadra të marrë sa më tepër pikë dhe të shkojmë sa më larg. Me kalimin e kohës dhe në varësi të rezultateve, do të konturohen edhe synimet." Menjëherë pas prezantimit, Jupi është nisur, bashkë me skuadrën, drejt Korcës, ku skuadra e tij do të përballet neser me Skënderbeun, në ndeshjen e parë të turit të tretë të Kupës së Shqipërisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›