Redi Jupi trajneri i Dinamos. I mungon licenca e trajnerit

Redi Jupi është zyrtarisht trajneri i ri i Dinamos. Futbollisti i Kombëtares shqiptare, i rikthyer ketë sezon nga Turqia për të qenë pjesë e formacionit titullar të Faruk Sejdinit, tashmë të shkarkuar, nuk do ta kishte menduar kurrë se do të ishte trajneri i klubit me të cilin është shpallur kampion. Prezantimi i tij është bërë para klubit dhe medias.
Jupi, autor i një goli gjatë këtij edicioni në fitoren 2-0 të Dinamos kundër Kastriotit, edhe pse do të jetë në rolin e trajnerit të bluve do të jetë sërish një prej futbollistëve. Një gjë nuk dihet ende nëse do ta pranojë Sektori i Garave të ulet në pankinë e Dinamos, kur dihet se futbollisti i njohur nuk e ka një të tillë, si "A".
Dinamo ndodhet në një prej krizave më të thella, kur në 8 takime ka pësuar 5 humbje.
Është shumë e cuditshme, teksa pritej që në stolin e Dinamos të ulej trajneri kampion, Ilir Daja, tani është futbollisti me eksperiencë ndërkombëtare Redi Jupi.
Ky është rasti i parë kur një lojtar luan rolin e trajnerit, ndërkohë që në rolin e ndihmësit është Uliks Kotrri i Vllaznisë, që madje ka shënuar edhe një gol në këtë kampionat kundër Elbasanit në fitoren 2-0 të shkodranëve.