E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo e la pa gjumë

Admir Mehmedi ka treguar se nuk e kishte të lehtë të vendosë për të ardhmen. Ai thotë para se të nënshkruante me Dinamo Kievin kishte menduar shumë madje kishte mbetur edhe pa gjumë. Sulmuesi shqiptar është i vetëdijshëm për konkurrencën që e pret te klubi i ri derisa është i lumtur që do të luajë përkrah idhullit të fëmijërisë, Andriy Shevchenko.

Admir Mehmedi pasi ka nënshkruar kontratën me Dinamo Kievin, ka dhënë deklaratat e para si futbollist i ri i gjigantin ukrainas. Sulmuesi me prejardhje nga Gostivari tregon se nuk e kishte aspak të lehtë të vendoste.

Reprezentuesi zviceran para se të vendoste largimin nga klubi helvetik, Zurich, aty ku bëri edhe emër si futbollist, kishte menduar shumë madje kishte mbetur edhe pa gjumë në sy për disa ditë me radhë.

“Vendimi për mua ka qenë tejet i vështirë. Së bashku me familjen time kam vendosur për të marrë këtë hap. Gjatë ditëve të kaluara nuk kamë fjetur fare”, ka thënë 20-vjeçari për të cilin interesim kishin shprehur edhe klube nga Premierliga, Serie A dhe Bundesliga.

Ish futbollisti i Bellinzonës e Winterthurit beson se me zgjedhjen që ka bërë mund të bëjë hapa të mëdhenj në karrierë. “Por me këtë kalim mund të bëj një hap të madh në karrierën time”, ka theksuar Mehmedi në një intervistë dhënë tabloidit zviceran, Blick.

Detajet e marrëveshjes dhe kontrata e futbollistit nuk është bërë e ditur, mirëpo thuhet se Mehmedi do të marrë një pagë të majme te gjiganti ukrainas. Por ai thotë se Dinamon nuk e zgjodhi për para.

“Nuk e kam bërë këtë lëvizje për para. Unë nuk mund të qëndroj gjithmonë në Zurich nëse dua të përparoj si futbollist”, ka thënë Mehmedi, i cili me Dinamo Kievin ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2016.

Te kampioni i shumëfishtë i Ukrainës, sulmuesi shqiptar do ta ketë mundësinë të luajë përkrah yllit ukrainas, Andriy Shevchenko. Ai është i lumtur për këtë derisa është i vetëdijshëm edhe për konkurrencën që e pret te klubi i ri.

“Përpara si fëmijë kam vrapuar me trikon e Shevchenkos, tani do të luaj me të. E di që lufta për konkurrencë është më e madhe sesa në Zurich dhe për këtë jam i vetëdijeshëm”, ka thënë Mehmedi.

Mehmedi në kampionatin ukrainas do të gjejë edhe dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Armend Dallkun e Ahmed Januzin, të cilët lajnë për disa vite me Vorskla Poltavën.

Mehmedi në Zurich ishte transferuar nga Winterthuri në vitin 2006. Ndërsa me ekipin e parë të Zurichut kishte debutuar në vitin 2008. Me këtë klub ka zhvilluar mbi 80 ndeshje derisa ka realizuar 18 gola.

Pas paraqitjeve të mira në kampionatin zviceran dhe përfaqësuesen U21 të Zvicrës, Mehmedi u ftua nga selektori Ottmar Hitzfeld në Kombëtaren helvetike, me të cilën ka debutuar vitin që e lamë pas dhe ka zhvilluar 7 ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›