E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faculeta që ndryshoi historinë e Barcelonës

Rritja e Lionel Messit me Barcelonën filloi në një faculetë. Në të u nënshkrua një prej kontratave më të rëndësishme në histori të futbollit, ajo që e solli argjentinasin në Nou Camp. Ngjarja ndodhi para më tepër se një dekade, kur 13-vjeçari Messi shpresonte të siguronte kalimin te gjiganti katalan. Ndërmjetësuesi i transferimit, Horacio Gaggioli – i cili nuk fitoi asnjë cent – thotë se kjo faculetë ka ndryshuar historinë e Barcelonës.

Ndodhi para më tepër se një dekade, kur 13-vjeçari Messi, atëherë një fëmijë i vogël dhe i thatë, por përplot talent, shpresonte të siguronte kontratë me Barcelonën.

“Është një faculetë që unë dhe shumë kolegë të mi besojmë se ka ndryshuar historinë e Barcelonës”, tha Horacio Gaggioli, i cili ndërmjetësoi marrëveshjen. “Nëse nuk do të ekzistonte, Leo do të luante për një skuadër tjetër”.

Në shtator 2000, Messi kishte provën e parë me Barcelonën. I vogël me trup, por i shkëlqyeshëm me top në këmbë, tinejxheri argjentinas kishte impresionuar zyrtarin e Barcelonës, Carles Rexach.

Andaj, kur erdhi koha të merrej një vendim, sekretari teknik i klubit katalan, ish-trajneri i skuadrave të grupmoshave të reja, e më pas edhe skuadrës së parë, bëri një kontratë në atë që i erdhi para dorës në Pompeia Tennis Club të Barcelonës.

Në të, Rexhach ritheksoi dëshirën e Barcelonës të përmbushë kërkesat e babait të Messit, Jorge. Në faculetën e vogël shkruante: “Në Barcelonë, më 14 dhjetor 2000 dhe në prezencën e Josep Minguellas, Horacio (Gaggioli), Carles Rexach, sekretar teknik i Barcelonës, konfirmon përgjegjësinë dhe pavarësisht disa qëndrimeve kundër transferimit të futbollistit Lionel Messi, ne do t’i qëndrojmë marrëveshjes së diskutuar”.

Paraqitjet e Messit prej kur u bë profesionist, kanë qenë të mahnitshme. Aktualisht 24 vjeç, Messi është në prag të fitojë çmimin kryesor individual për një futbollist, Topi i Artë, për herën e tretë të njëpasnjëshme.

Ai shënoi 53 gola sezonin e kaluar dhe ka arritur në kuotën 31 deri më tani gjatë këtij edicioni, duke mbetur në 25 prapa rekordit të klubit të Cesar Rodriguezit. Messi ka fituar tre tituj të Ligës së Kampionëve, pesë liga të Spanjës, dy kupa të Botërorit të klubeve, tri superkupa të Evropës, pesë superkupa të Spanjës dhe një Copa del Rey prej debutimit të tij më 2004 duke zgjuar krahasime me Pelen, Diego Maradonën dhe Alfredo Di Stefanon, futbollistët më të mirë në histori.

“Kishte diçka të ndryshme rreth tij. Familja kërkoi nga ne një letër që do të konfirmonte marrëveshjen, në mënyrë që të kishin garanci rreth kalimit të tij në Barcelonë. Nuk kisha në çka të shkruaj, andaj përdora një faculetë”, tha Rexach.

Por, procesi për transferimin e Messit në Barcelonë kishte filluar edhe më herët. Gaggioli ishte kërkuar nga disa të afërm të Messit të ndihmojë në zhvillimin e kontakteve me Barcelonën, sepse familja kishte vendosur të largohet nga Newell’s Old Boys për në Evropë. Përveç kërkimit të një klubi të madh evropian, Jorge Messi kërkonte një skuadër që do të mbulonte shpenzimet për tretmanin e zhvillimit të hormoneve të rritjes së të birit të tij.

River Plate kishte mundësinë për të transferuar Messin para Barcelonës dhe Gaggioli thotë se kurrë nuk do ta harrojë ditën kur e takoi Messin për herë të parë. “Jam takuar me ta në aeroport dhe kur e pashë Leon, mendoja, ‘Ku do të luaj ky çun?”

“Ai ishte aq i vogël dhe i njomë sa që nocioni që ai të bëhej futbollist dukej i pamundur”, tha Gaggioli. Pavarësisht fizikut të dobët, Messi ishte i mahnitshëm në fushë dhe dallohej në skuadrën e të rinjve të Newellit.

Përveçqë u desh të paguajë shpenzimet për tretmanin e hormoneve të rritjes, transferimi i tij në Barcelonë nënkuptonte se klubi duhet të paguajë çmimin për transferimin e familjes së tij në qytet si dhe angazhimin e babait të tij në një punë.

Barcelona, filozofia e së cilës është e bazuar në vlerat katalane, kurrë më parë nuk kishte transferuar një talent në moshë aq të re. Erdhi dhjetori dhe Gaggioli ia bëri të qartë klubit që të finalizojë transferimin, përndryshe rrezikon të humbë mundësinë e angazhimit të Messit. Dhe, Rexach reagoi shpejt në ditën e dhjetorit në klubin e tenisit.

“Ai shikonte përreth duke u munduar të gjente diçka për të shkruar në të, por nuk kishte asgjë, andaj e nxori një faculetë”, tha Minguella.

I siguruar se marrëveshja ishte arritur, Jorge Messi e transferoi familjen e tij në bregun mediteran. Messi më pas nënshkroi zyrtarisht me klubin në mars. Sa i përket faculetës, ajo vazhdon të jetë te Gaggioli dhe Minguella. Është mbuluar dhe vendosur në një kuti të sigurt brenda bankës së qytetit, por jo në muzeun e Barcelonës.

“Muzeu është vendi ku duhet të jetë. Por, kurrë nuk kam marrë një telefonatë nga klubi rreth faculetës”, tha Gaggioli, i cili nuk ka përjashtuar mundësinë e kërkimit të kompensimit në shkëmbim për elementin e historisë së klubit. “Kurrë nuk kam përfituar asnjë euro të vetme nga klubi ose nga Messi. Por, nuk e di nëse do të kërkoja diçka për faculetën, ata duhet të më thërrasin së pari”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›