Zor e realizueshme
Klubet e tjera të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll e kanë përshëndetur idenë e FC Prishtinës për të marrë pjesë në Kampionatin shqiptar të futbollit, por sipas tyre, kjo gjë për momentin duket e parealizueshme.
Skuadra Bardhekaltër, të mërkurën kishte bërë kërkesë në Federatën Shqiptare të Futbollit që t’i bashkohet ligës së parë të Shqipërisë, e vetëdijshme se futbolli kosovar ka mbetur i izoluar qe 12 vjet.
Mirëpo, drejtuesit e klubeve të tjera mendojnë se më mirë do të ishte që së bashku të mendojnë se si të inkuadrohet Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) në FIFA dhe UEFA.
“Nëse Prishtina, Vëllaznimi, Trepça ’89 apo dikush tjetër do të kërkonte që të luajë në kampionatin shqiptar, çka po mbetet në Kosovë? Me këtë rast, ne po e shuajmë futbollin kosovar. Për mendimin tim, kjo nuk është rrugë e drejtë. Ne kemi bërë çmos që ta bëjmë ndërkombëtarizimin e futbollit tonë, atëherë kush do të na pranonte nëse shkojmë dhe luajmë në Shqipëri?”, deklaroi drejtori i Trepçës ’89, Abedin Zeka.
Sipas tij, ideja e Prishtinës është hap i ngutshëm, ngase klubi kryeqytetas nuk është superior ndaj ekipeve të tjera, që të kërkojë me çdo kusht që të dalë në arenën ndërkombëtare.
“Në Trepçën ’89 jemi zyrtarë qe 12 vjet dhe nuk kemi lëvizur fare, Remzi Ejupi ka hyrë vonë në futbollin kosovar. Kur të bëhet ndërkombëtarizimi, mendoj se mund ta bëjmë ndonjë lëvizje, nëse ka ndonjë ide të qartë dhe të kapshme”, vazhdoi zyrtari i klubit mitrovicas.
Drejtori i Lirisë, Hatmi Gashi mendon se ideja e Prishtinës është e qëlluar, por mënyra se si e bëri kërkesën klubi bardhekaltër, nuk duket të jetë më i miri.
“Mendoj se ideja, është e qëlluar. S’besoj që ndokush nuk e preferon këtë ide. Mirëpo, ne mendojmë se çdo gjë duhet të shkojë përmes Federatës së Futbollit. Nuk mundet çdo klub individualisht ta bëjë një kërkesë të tillë. Klubet punojnë në kuadër të Federatës dhe kjo e fundit vendos për këto gjëra”, mendon Gashi.
Kurse, kryetari i Besës, Bakir Burri thotë se krejt çka shkon në favor të futbollit, klubi i tij e përkrah. Por, ai sheh çështje më madhore, të cilave duhet t’u jepet rëndësi.
“Çdo gjë që nuk prek në interesa më madhore, ne jemi pro. Mirëpo, mendoj se pranimi në FIFA dhe UEFA është çështja më e rëndësishme për momentin. Pasi të ndërkombëtarizohemi, mund të vijnë në shprehje idetë e tilla. Kur të jemi zot shtëpie, mund të mendojmë edhe për ndonjë ligë unike apo diçka të tillë”, thotë Burri.
Aleanca KuqeZi, të mërkurën e kishte hapur sërish temën rreth bashkimit të futbollit të Shqipërisë me atë të Kosovës, për të cilën ishte diskutuar shumë edhe më herët sikur në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë.
Po të mërkurën, klubi më i madh në vend, Prishtina, kishte bërë kërkesë për të luajtur në Superligën e Shqipërisë, duke e pasur parasysh stagnimin dhe izolimin e futbollit kosovar.