E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futbolli është argëtim

Është ikonë e futbollit në dy dekadat e fundit, dhe tani ka arritur në fazën përfundimtare të karrierës së tij. Por, kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero ka krijuar një mirënjohje ndërkombëtare dhe duartrokitjet për të nuk mungojnë kudo që shkon. 37-vjeçari ka një filozofi të thjeshtë: Luhet për të fituar, dhe për argëtim.

Ende është ikonë. Mund të diskutohet deri në pakufi rreth mundësisë që ai të qëndrojë në shtëpi në fund të këtij sezoni.

Por, nuk mund të mendohet se pa të Juventus do të ishte i njëjti gjigant: kur Alessandro Del Piero do ta lërë fanellën që e barti për 18 vite, Bianconerët duhet të gjejnë dikë tjetër, që sidomos në shtetet e huaja, e identifikonte klubin pikërisht me të.

Edhe pse nuk e ka më freskinë e një djaloshi dhe driblimet i bën më me zor, e ndonjëherë i dështojnë për refleks të vonuar, Del Piero tashmë ka ndërtuar një mirënjohje ndërkombëtare.

Nga qindra fanella të Juventusit që barteshin nga tifozët në udhëtimin në Arabi, më tepër se gjysma mbanin numrin dhe emrin e tij. E kur hyn në një stadium, sikur të enjten mbrëma në Riyad, ishte një gjysmë tribune e tifozëve arabë të Juventusit që këndonin këngët e tij që dëgjohen gjithnjë në Torino.

Duartrokitjet janë sinonim i tij. Për botën mbetet një “top futbollist”. Fenomenët nuk plaken kurrë në sytë e publikut të gjerë. “Kemi shkuar në ndarjen e çmimit Golden Globe të bindur se ylli do të jetë Cristiano Ronaldo, e jo Alessandro Del Piero”, tha një gazetar në Dubai.

“Dolëm nga festa me mendim të ndryshëm. Ronaldo sot mund të jetë më i mirë, por nuk di të sillet si një kampion si Del Piero, i cili jep autografe duke buzëqeshur dhe pranon foto me të gjithë”, shtoi ai.

Çmimi që mori në Emirate javën e kaluar, ishte një triumf i tij. Alex ka pushtuar të gjithë madje edhe në një kontinent të tillë të huaj. Ndërsa arabët iu ngritën në këmbë. Në ndeshjen miqësore me Al-Hihahin, ishte pikërisht Del Piero ai që dha spektaklin më të madh me dy golat e tij në pjesën e parë në fitoren e Juventusit 7-1.

“Për mua” tregon ai, “vlen mendimi i njëjtë me atë të Magic Johnsonit, ish-kampion në basketboll. Luhet për të fituar, për t’u argëtuar dhe për të argëtuar. Kur të tri këto gjëra bashkohen, unë jam i lumtur”.

Ende nuk dihet se çka e pret pas përfundimit të këtij sezoni që besohet se do të jetë i fundit për të në Juventus. Pavarësisht konkurrencës në rritje me ardhjen e sulmuesit Marco Borriello, dhe moshës së tij tashmë të konsiderueshme 37 vjeç, Del Piero nuk brengoset.

“Fakti se ka ardhur Borriello shton konkurrencën, por nuk ndryshon asgjë, gjithçka do të jetë siç ka qenë gjithmonë, pavarësisht cilësdo ardhje të re në Juventus. Kam kaluar një periudhë të mirë, 15 ditët e fundit më kanë sjellë gëzim dhe tani kthehem me ekipin në Serie A, do të vazhdojmë punën me të njëjtin përkushtim, pa lejuar rënie të përqendrimit. Duhet të jemi gjithmonë në 101 për qind të kujdesit”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›