E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premiership, 1.4 miliardë euro fitime nga e drejta TV

Anglezët i futen studimit: Libra dhe futboll për Runi të rinj

Premier League vazhdon të regjistrojë shifra rekord për sa i takon përfitimeve të klubeve. Në sezonin 2010-2011, 20 klubet që do të luajnë në elitën e futbollit anglez do të ndajnë ndërmjet tyre shifrën e jashtëzakonshme prej 1,4 miliardë eurosh. Sipas së përditshmes “Daily Telegraph”, kjo vlerë e paprecedentë edhe në futbollin e pasur anglez, ka ardhur më së shumti prej rritjes së të ardhurave nga e drejta televizive në mbarë botën. Kjo falë kontratave të nënshkruara së fundmi (mbi të gjitha në shtetet aziatike) për tri vitet e ardhshme. Drejtori i përgjithshëm i shoqërisë “Premier League”, Riçard Skudamor, nënvijëzoi se vlera komerciale e kampionatit është rritur me 18 për qind në krahasim me 12 muaj më parë. Megjithatë, ai nuk e bëri publike mënyrën sesi do të ndahet “torta”: ndryshe nga vitet e tjera, klubet kanë kërkuar që të mos zbulohen shifrat që do t’i shtohen arkës së secilës prej tyre. Qëllimi është që ekonomia e çdo skuadre të mbahet e fshehtë nga rivalët në kampionat, por edhe nga menaxherët e futbollistëve, të cilët mund të rrisin artificialisht çmimet e lojtarëve nëse buxheti i klubit është i mirë.

Pasi po thyejnë thuajse në çdo fillim sezoni rekordet e mëparshme për përfitimet, drejtuesit e Premier League po mendojnë të ndërtojnë edhe një sistem të vetin edukativ për brezat e rinj të futbollistëve. Në Angli ende nuk e kanë harruar zhgënjimin e radhës në Kupën e Botës dhe do t’i futen studimit. “Receta”: top futbolli dhe libra për t’u kthyer te sukseset. Projekti ka emrin “free schools” dhe sipas së përditshmes “The Guardian”, Riçard Skudamor po mendon të përfitojë nga reforma në arsim, për të krijuar një shkollë që lidhet me futbollin. “Nëse ke një djalosh që ka premisa për të qenë sportist i shkëlqyer, atëherë përse të mos punosh edhe në edukimin e tij? është e nevojshme që talentet të stërviten, por edhe të studiojnë”, deklaroi Skudamor. Në këtë mënyrë, në Angli, përveç topit të lojës synojnë të përdorin edhe librat për të formuar Runi të rinj. “Besoj se do të ndodhin ndryshime rrënjësore. Ndoshta një ditë do të kemi një shkollë të Premier League-s. Po punojmë me klubet, natyrisht duke studiuar edhe reformën e Majkëll Guv (ministri i Arsimit) për të përcaktuar se si do të veprojmë”, shtoi ai. Një zëdhënës i ministrisë nënvijëzoi: “Dëshirojmë që çdo fëmijë të ketë një edukim të denjë për Premier League-n. Do të jemi të lumtur që të diskutojmë me drejtuesit e klubeve për të hapur shkolla aty ku do të jetë nevoja dhe t’i japim një shans secilit vogëlush”.

Ka disa arsye madhore përse drejtuesit e Premier League kërkojnë ta realizojnë konceptin e shkollave për fëmijët. Ligat e moshave kanë mjaft mangësi me sistemin aktual të punës, në krahasim me vende si Holanda apo Spanja, dy finalisteve të Botërorit 2010, të cilat vazhdimisht prodhojnë talente. Në Angli, edhe të rinjtë më të talentuar që janë pjesë e “akademive” të klubeve elitare stërviten vetëm pesë orë, për shkak të impenjimeve akademike. Kjo ka bërë që prej vitesh Anglia të mos jetë në nivele të larta në skuadrat e moshave dhe të ketë mangësi në rinovimin e përfaqësueses, që nuk ka fituar një aktivitet madhor prej 44 vjetësh.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›