E Diel, 1 Nëntor 2026

Adoleshenti tenton vrasje me armën e babait polic

Durrës Autori i plagosjes ishte djali i një polici të pyjeve

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në periferi të qytetit të Durrësit mes adoleshentëve. Në krim është përdorur arma e shërbimit të një punonjësi të policisë pyjore. Mbërritja në spital e një 18-vjeçari nga Spitalla, i plagosur me armë zjarri, ka vënë në lëvizje policinë e Durrësit. I njoftuar nga mjekët e spitalit, menjëherë grupi hetimor është ngritur për të zbardhur atë që kishte ndodhur, autorin e plagosjes dhe motivet që çuan në të. Si i dëmtuar në ngjarje është identifikuar shtetasi A.Xh., ende pa i mbushur të 18-at. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rezultoi se ngjarja kriminale ndodhi rreth orës 13:00 të ditës së mërkurë, në afërsi të vendit të quajtur “Rezervuari”, në Lagjen 15 të Durrësit. Pas një konflikti të një dite më parë, tre adoleshentët M.R., A.Xh., dhe E.H., të tre 16-vjeçarë banues në Lagjen 15, kanë shkuar të ritakohen me personin e konfliktuar me ta. Ata kanë pasur me vete një armë zjarri të tipit pistoletë, të cilën shtetasi E.H., ia kishte marrë në banesë babait të tij me detyrë punonjës i policisë pyjore. Pasi janë takuar me A.Xh., në konflikt e sipër e kanë qëlluar me armë, duke e lënë të plagosur këtë të fundit. Aktualisht i dëmtuari ndodhet në spitalin e Durrësit, por burimet spitalore bëjnë të ditur se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndonëse ka nevojë për asistencë të vazhdueshme. Me të zbardhur ngjarjen dhe emrat e personave të përfshirë në të, u morën masa që çuan në kapjen dhe shoqërimin e tre personave të dyshuar si të përfshirë në kryerjen e saj, si dhe u bë i mundur bllokimi i armës së përdorur në krim. Burimet policore sqaruan se ende nuk është bërë kualifikimi ligjor i veprave penale të kryera dhe vazhdon kryerja e veprimeve procedurale përkatëse në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Durrësit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›