Dinamo fiton miqësoren "europiane" me Vllazninë
Pasi e ka mundur në kampionat, Dinamo nuk e fal Vllazninë edhe në miqësore. Blutë triumfuan 1-0 në miqësoren e luksit mes dy pjesëmarrëseve shqiptare në Europa League, të zhvilluar dje në "Loro Boriçi". Golin e vetëm të fitores e ka shënuar Bakaj në minutën e 23-të. Kjo ndeshje shikohej si një test i rëndësishëm për të dy ekipet në prag të përballjeve të tyre në Kupat e Europës. Minutat e para kanë ofruar një nivel të dobët futbolli për të dyja skuadrat, të cilat tregojnë mangësi të shumta në manovrat e tyre. Dinamovitët qarkullojnë më mirë topin dhe ata që kanë ndikuar disi në përmirësimin e lojës së tyre kanë qenë pikërisht blerjet e reja të këtij sezoni. Ndërsa shkodranët kanë vuajtur shumë, pasi mungonin lidhjet mes reparteve, çka mendohet se janë shkaktuar nga largimet dhe afrimet e disa lojtarëve. Luhet më shumë në mesfushë deri në momentin kur Bakaj ka shënuar golin e avantazhit për miqtë. Disavantazhi ndez disi lojën e kuqebluve, të cilët krijojnë disa raste për shënim me Mrvaleviç, Beqirin e Nallbanin. Edhe në pjesën e dytë përpjekjet e shkodranëve kanë rezultuar pa sukses, kështu që rezultati 0-1 për Dinamon ka ngelur i pandryshuar deri në fund. Të dy ekipet do të jenë të impenjuar më 2 dhe 9 korrik në takimet Europa League.