E Shtunë, 31 Tetor 2026

KUSH DO TE NA QEVERISE?

Gara e ethshme elektorale e zgjedhjeve të përgjithshme arriti në finish. Si ngaherë, ashtu si në një shfaqje teatrale, politikanët-aktorë kanë qenë nën dritat e luhatshme të skenës, ndërsa spektatorët, të zhytur në plate e galeri, të heshtur vuv, të pagojë dhe në pritje për të dhënë konsideratat e tyre, përsëri pa fjalë, me një gjest duartrokitjeje, nga intensiteti i së cilës do të përcaktohet triumfuesi i shfaqjes. Natyrisht që spektatorët nuk kanë mundësi tjetër zgjedhjeje për t‘i dhuruar duartrokitjet, pasi vetë shfaqja të imponon të përzgjedhësh dikë, vetëm njërin prej pjesëmarrësve politikanëve-aktorë të skenës. Kjo shfaqje elektorale, sado e ngjashme me shfaqjen teatrale (jo më kot Çërçilli e quante demokracinë një sistem të keq, me të cilin nuk mund të matej asnjë sistem tjetër për nga arritjet e vlerave), natyrisht që është një gur kilometrik në historinë e Shqipërisë, e cila pas hyrjes në NATO, pas kalimit të arkëtimeve në buxhet të më tepër se 30% të GDP-së dhe pas përfshirjes së një rrjeti ndërkombëtar bankar në investimet e brendshme ekonomike në një masë mbi 30%, duket se po e kalon fazën e tranzicionit e po hyn në hapat e parë të një faze më të shëndetshme të ndërtimit të sistemit kapitalist.

Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit të kaluar (me sa u kuptua me bekimin e ndërkombëtarëve), bashkë me tranzicionin po merrte fund edhe diversifikimi i politikës legjislative, karakteristikë e këtyre 18 vjetëve. Partitë e mëdha sulmuan gjatë garës edhe aleatet e tyre të vogla të koalicionit. Këto parti do të konsideroheshin me fat, nëse do të arrinin këtë herë të fusnin në Kuvend vetëm kryetarët e tyre. Në Shqipëri po shkohet drejt një modeli politik anglo-sakson, me dy parti të vetme mazhoritare (dhe dy liderë agresivë që të shqetësojnë me ngërdheshjet e tyre, të kudondodhur me zërin e tyre cingëritës: në sheshe, bare, banesa, madje edhe në WC-të e hoteleve, më keq se Udhëheqësi i Madh komunist oruelljan, që qëndron në sfondin e përgjithshëm të jetës, i murrëtyer e në heshtje), model që në fakt ka rezultuar se krijon më shumë stabilitet në krahasim me modelet e diversifikuara europiane të demokracisë. Në këtë lloj modeli duket se ekziston liria për të zgjedhur, por në fakt kjo lloj lirie ngjan me lirinë që ka një klient për të zgjedhur në një restorant me meny të varfër, midis dy asortimenteve të vetme të sallatës me panxhar të kuq dhe panxhar të bardhë. Turmat, megjithatë, do të zgjedhin njërën prej tyre, sipas eksperimentit të bërë me një kavie të futur në një tub me disa kryqëzime dyshe, njërën prej të cilave ajo e zgjedh për të brofur e për të vazhduar ngarendjen e tronditur nga disa drita blu e të kuqe, që i ndizen herë pas here mbi kokë, nga mbrapa. Ajo nuk guxon të kthehet pas, por as nuk qëndron në vend, nga frika se ky ndriçim vrastar mund të zgjasë shumë, por vetëm ecën turravrap në një krah, majtas ose djathtas, në çdo kryqëzim, e verbuar pandërprerje nga dritat që e ndjekin vrulltazi, në kërkim të anonimatit dhe qetësisë. Kësaj panorame të përgjithshme të sistemit "defektoz" çërçillian, të rreshtuar në vend të parë për nga vlerat që sjell, po t‘u shtohen edhe penelatat amatore dhe nga duart relativisht amatore të politikanëve shqiptarë, me ngjyrat e forta blu e rozë, natyrisht që nuk mund të mos kishim një panoramë shqiptare paksa pesimiste, e akoma edhe më të trishtë. Gjithsesi, kthimi majtas apo djathtas, apo duartrokitjet pas fundit të shfaqjes teatrale, do të varen mbi disa arsyetime sa afatgjata e të paragjykuara, aq edhe afatshkurtra e pragmatiste, që mendojmë t‘i përmendim më poshtë, jo në mënyrë shteruese (këtu nuk do të merremi me atë grup të madh që nuk duan të sillen si qytetarë, vendimmarrës-abstenues).

Grupet e votuesve

Së pari janë militantët e forcave politike, që kanë hyrë në llogoret blu dhe rozë për shkak të origjinës të tyre familjare, e që kanë lidhje me biografitë familjare pas rreshtimit në Luftën e II Botërore dhe sipas trajtimit që u është bërë atyre nga komunizmi; së dyti, qytetarët që votojnë sipas bindjeve ideologjike përkatëse për ofertat që duhet t‘i sjellë publikut e majta dhe e djathta, në raport edhe me pozicionin e rreshtimit ekonomik të familjeve të tyre; së treti, qytetarët që votojnë në mënyrë pragmatiste apo beneficiare; e së katërti, qytetarët emocionalë që votojnë nga simpatia personale ndaj biografisë së liderit dhe imazhit që ata kanë sendërtuar për të (në këto katër grupe nuk po marrim parasysh votimet për shkak të origjinës së kombësisë dhe ato për shkak të orientimeve në prioritetet ndaj politikës së jashtme, pasi i konsiderojmë, përkatësisht të parët jo shumë ndikues në rezultat, dhe të dytët si të unifikuar pak a shumë në të dy krahët blu e rozë).

Grupi i parë është duke u mpakur në numër nga zgjedhjet në zgjedhje për shkak se një pjesë e tij po e braktis përkatësinë e origjinës dhe idealizmit zhgënjyes, si dhe po priret nga pozicionimi në fashën e pragmatistëve të grupit të tretë, duke qenë një mishellë potenciale e lëkundshme në serbatorin blu apo rozë. Pas këtyre zgjedhjeve, ndoshta grupi i dytë do të jetë ai që do të shtojë radhët e abstenuesve për shkak se këtij, në ndryshim me shfaqjet në skenat perëndimore, nuk iu drejtuan thuajse asnjëherë aktorët-politikanë të skenës. Në këtë fushatë z.Rama dha imazhin se sistemi dy modelësh i majtë dhe i djathtë i kapitalizmit nuk ekziston, se këto modele janë virtuale, prandaj të bashkohemi me fytyrën e re të politikanit të STABILITETIT kundër politikanëve emblematikë të TRANZICIONIT, Berisha, Nano, Meta (Majko, Gjinushi, Ruçi, Dokle, Dade?), përtej së majtës e së djathtës! Madje, në këtë model të stisur në emër të fazës më të maturuar të sistemit duket se herë pas here ra dhe Berisha (kujtoni fjalimin e tij në Orikum, me të njëjtën tendencë anti-ideologjike: "Po na votuan ne, edhe socialistët do të jetojnë më mirë"?!). Askush nga dy liderët nuk foli me këtë grup për tema të tilla të prekshme, si sa do të jetë niveli i arkëtimeve në buxhet; si do të jenë politikat fiskale me biznesin; cili do të jetë raporti i kontributeve të llojeve të ndryshme të biznesit në buxhet; si do të rregullohet deficiti i thellë tregtar; si do luftohet boshllëku i prurjeve të remitancave; sa do të jetë masa e investimeve publike në katër vjet; si do të përballohet kriza ekonomike botërore dhe inflacioni që duket se po na troket pas dy -tri muajsh; si do të ruhet stabiliteti i lekut nga një zhvlerësim i mundshëm në të ardhmen; për ç‘politikë ekonomike ka nevojë vendi të paktën deri në fund të 2010-ës (ekspansioniste apo monetariste); cilat do të jenë politikat monetariste të qeverisë në këto katër vjet. Për këto shkaqe çoroditëse, ky grup intelektual jo i vogël ka mundësi të mos votojë në masë.

Grupi i katërt, apo grupi i qytetarëve që votojnë për liderin, do të quheshin grupi emocional. Në inkoshiencën e tyre, ky grup ka një formim lindor me origjinë nga edukimi i shoqërive të Lindjes, ku kemi qenë të rreshtuar në histori prej 1700 vjetësh, sipas të cilit lideri është llamba e tyre e Aladinit, edhe pse ata s‘kanë ditur të mësojnë nga zhgënjimet e jetës, nga të pësuarit për shkak të kësaj sjelljeje. Ata e ngrejnë në apoteozë rolin e individit dhe e mohojnë faktin se është shteti i së drejtës dhe niveli i përgjithshëm i shoqërisë ato që vendosin ngritjen e herëpashershme të standardeve. Që të rriten këto nivele, shoqëria ka më shumë nevojë për arsimim, mirëqenie e kulturë. Por këto janë të lidhura me njëra-tjetrën brenda një rrethi vicioz dhe ecja përpara varet nga shumë rrethana. Kësaj kategorie do t‘i vlente një histori e Mit‘hat Frashërit me një kryefamiljar të varfër në një zonë të thellë rurale. Kryefamiljari i varfër i qahej Mit‘hatit kundër Naltmadhnisë për gjendjen e vet, duke i thënë që, nëse do të kishte qenë F.Noli në timon, ata nuk do të ishin fukarenj. Duke dalë Mit‘hati, pa para derës një dëng me bajga të thata plot me miza dhe një tufë fëmijësh që zhgërryheshin mbi të. Ndërsa fshatari kërkonte një përgjigje magjike, Mit‘hati e pyeti: "Po këto bajgat te dera e shtëpisë, Naltmadhënia t‘i ka lënë?".

Berisha versus Rama

Gjithsesi, pa kundërshtuar tërësisht rolin e individit, këta njerëz mendojnë pak a shumë bardhezi për dy liderët.

Ata që e duan Berishën mendojnë se ai është figura providenciale e kombit; se pa të do të vijë fundi i politikës (madje edhe i kombit apo i historisë, pak a shumë siç mendonin për liderin komunist enveristët në vitet ‘80); se ai është i vetmi patriot i madh e i pagabueshëm në këto troje; se ai është lideri i drejtë, madje një Aristidh i kombit; se ai është një burrë sovran në vendime, i pakompromentuar, i pakapur nga kolegët e vet politikanë e ministra, si dhe i vetmi njeri i drejtë në kampin blu; se ai nuk është egoist dhe nepotik; se ai, ndryshe nga politikanët e tjerë të përcaktuar nga Konica, është i vetmi që i do tropojanët, kosovarët, veriorët, myslimanët apo shqiptarët; se ai është i vetmi që na futi në NATO dhe i vetmi që do na fusë edhe në BE; se po të mos ishte ai, nuk do të ishte ndërtuar rruga e kombit (Durrës-Kukës) etj., etj.

Ata që nuk kanë mendim shumë pozitiv për Berishën, apo që e shajnë atë, mendojnë se: ai është një stekë e vjetër dhe e mplakur komuniste që duhet rrëzuar (këtyre tipave ai iu përgjigj duke u ngjitur në malin e Dajtit, si kryetari Mao që kalonte lumin Jance në moshën 70 vjeç, duke aluduar se ai do të qëndronte deri më 2017 në politikën aktive); ai është përgjegjësi kryesor për këtë tranzicion kaq të gjatë si dhe për vitin e mbrapshtë të ‘97-ës (këta tipa nuk marrin parasysh asnjëherë arsyet objektive të brendshme dhe regjionale, por vetëm ato subjektive në llogaritë e tyre); ai është egoisti më i madh i këtyre 18 vjetëve dhe si një epikurian i vërtetë ka demonstruar me pushtetin një "hedonizëm" të paskajshëm, një prevalim të egoizmit nepotik dhe krahinarist të paparë te ndonjë politikan tjetër; ai e zvogëloi bazën e krimit dhe të korrupsionit, por i thelloi ato në favor të grupit të vet të çakejve; ai është i rrezikshëm për demokracinë, pasi është i prirur t‘u bëjë thirrje në çdo moment grupeve të veta të "jeniçerëve" për të përmbysur "kazanin" e shtetit, në emër të antishtetit; ai e përqendroi dhe kontrollon prokurimin e mbi gjysmë miliardë eurove të fondeve publike dhe me këto fonde ai pasuron familjen e vet dhe klanin e vet të brendshëm e të jashtëm që e ka sjellë dhe e mban në pushtet; se rrugën e bënë amerikanët për nevojën e tyre strategjike për të dalë nga Ferizaj në Shëngjin, si dhe për t‘i lidhur shqiptarët me njëri-tjetrin pas qindra shekujve; se ai s‘ka asnjë skrupull patriotik dhe kombëtar dhe se i vetmi bajrak i tij është pragmatizmi dhe interesi personal (këta të kujtojnë qëndrimin e tij për Rambujenë që ngjante si dy pika uji me deklaratat e Nanos se kryeqyteti i Kosovës ishte Beogradi); ai është krahinarist, pasi në administratën kryesore (sidomos aty ku ka kontakt me paratë, si dhe në organet e rendit ku luftohen trafiqet fitimprurëse) ka vendosur tropojanët e vet; se ai e shkatërroi faunën dhe florën e Gjirit të Vlorës me parkun energjetik (kujtoni manipulimin sugjestionues me popullin e Vlorës, ku ai u fliste se si liderët u kishin shkatërruar gjirin e tyre turistik me ndërtime e investime energjetike dhe budallenjtë në shesh e duartrokisnin për ortakërinë e tij në favor të investitorëve të huaj); se ai është i përfshirë në afera korruptive skandaloze (që me Arsidin e deri me Gërdecin dhe Fazliçin); se ai është një aktor i klasit të lartë dhe se mashtron e shtiret në të gjitha lëvizjet e tij të stisura para publikut, e se ai nuk do ta kishte problem të bënte edhe priftin me barë për dy pare spec, nëse do t‘i interesonte; ai do të ishte shumë i rrezikshëm për një mandat të dytë, pasi do të abuzonte tmerrësisht me pushtetin; ai së bashku me disa ministra të tij ka abuzuar në tendera të jashtëm, si ato për prokurimin e energjisë elektrike.

Nga ana tjetër, ata që simpatizojnë Edi Ramën të thonë se: ai është Davidi i Ri që po rrëzon një epokë dhe që do t‘u ngrejë shqiptarëve tempullin e rrëzuar nga historia; ashtu siç ai ringriti nga hiri Tiranën, ashtu do ta bëjë shumë shpejt me të gjithë Shqipërinë; ai nuk di të kthehet mbrapa në qëllimet e tij; ai s‘ka lidhje me sistemin e vjetër komunist dhe me tranzicionin e vështirë që kemi kaluar.

Po kështu, ata që e anatemojnë atë, mendojnë se: ai është mister 20% i lejeve të ndërtimit; ai nuk ka lidhje me të majtën dhe se asnjëherë nuk është solidarizuar me të varfrit dhe shtresat e mesme; ai vjen me origjinë familjare nga Blloku; ai është një person me tipare dhe edukatë të fortë individualiste dhe nuk ka sjellje karakteristike kolektiviste për të majtën (shikoni monopolet në ndërtime dhe rritjen artificiale, si në Tokion e fillimviteve ‘80 të vlerës së truallit për shkak të 20% që merr si ryshfet nga ndërtuesit); ai nuk ka ditur të grumbullojë të holla nga publiku për të ndërtuar me politika ekonomike efikase (si shitja e bonove bashkiake afatgjata te publiku bazuar mbi studime dhe projektime për të çliruar Tiranën nga pluhuri, trafiku, parkingjet publike, mbikalimet etj., etj.); se ai është një uzurpator pushtetesh dhe është i rrezikshëm për shoqërinë; se ai nuk ka një familje të vetën, ndaj është një model i keq për të gjithë brezin në moshë të pjekur për të krijuar familje; se ai është ekstravagant në sjelljet e veta dhe do ta dëmtonte imazhin tradicional të familjes si bërthama e shoqërisë; ai është po aq fajtor sa Doktori për Gërdecin; ai e ka shkatërruar dhe jo ndërtuar Tiranën me njëqind probleme të shtuara këto dhjetë vjet të administrimit prej tij etj., etj.

Kush do na qeverisë?

Gjithsesi dihet se sot, deri në orën 19:00, do të flasë populli. Pas kësaj ore, populli shkon të dremisë ndoshta për 4 vjet dhe qysh të hënën do të flasë politika. Ajo që na intereson është pyetja: Kush do na qeverisë pas 28 qershorit? Mundësitë janë disa dhe zgjidhja do varet nga qytetarët, politika e brendshme dhe sidomos nga ndërkombëtarët, në raport me mandatet e fituara. Variantet e mundshme janë disa:

a) të qeverisë PD-ja vetëm me aleatët e saj minorë (nëse fitojnë mbi 70 vende në Kuvend);

b) të qeverisë PD + LSI + Poli i Lirisë (në këtë rast vetëm varianti PS + LSI nuk do e kalonte dot numrin prej 70 vendesh në Kuvend);

c) të qeverisë PS + LSI + Poli i Lirisë (nëse vetëm të tre do të mund të kalonin 70 vende në Kuvend dhe PD + PL nuk do të kalonin numrin 70);

d) dhe PD + PS (të gjithë të tjerët në opozitë).

Në variantin b dhe c nuk diskutohen nënvariantet e koalicioneve qeverisëse PD+PL dhe PS+LSI, nëse këto do të ishin të mundura me rezultat mbi 70 vende në Kuvend. Ka njerëz që mendojnë si më të mundshmin e qeverisjes së ardhshme ose PD+LSI+PL ose PD+PS. Këto argumentime vijnë nga fakti se PD me aleatët mund të fitojë rreth 66 vende në Kuvend; PS me aleatët e saj 62 vende, LSI 8, PL 4. Nëse do të ketë gjasa për këto numra, atëherë mund të kishte një koalicion "përtej së majtës e përtej së djathtës" PD+PS, si në Kosovë, ku PD mund të mbante Kryeministrin, PS-ja (Rama) edhe një mandat tjetër Bashkinë e Tiranës; do paravendosej emri i Presidentit të ardhshëm (Topi dhe Nano duket se do ta humbnin në këtë rast shansin për një mandat presidencial nga 2012-2017). Në këto katër vjet do të futej vendi në BE, do të hidheshin hapa për një integrim më të madh të kombit, si dhe do të luftohej kriza ekonomike në vend, krizë që do t‘i japë shumë shpejt frytet e saj të hidhura prej krizës ekonomike financiare botërore, prej rritjes para dy muajsh të ofertës së parasë me 250 milionë USD (do të ketë rritje të inflacionit, rritje të normës së kredisë e të papunësisë), prej rritjes së stokut të borxhit të jashtëm me efekt 60 milionë USD në vit në buxhet, prej vazhdimit të zhvlerësimit të monedhës në vend për shkak të politikave ineficente merkantiliste, si dhe për shkak të shpenzimeve marramendëse të papara ndonjëherë të kësaj fushate të afruar për publikun si një kartolinë-bombë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›