E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe kampioni i Gjermanisë, Volfsburgu, në garë për Canën

Pas një periudhe reflektimi, më në fund Lorik Cana e ka vendosur: tashmë është thuajse 100 për qind e sigurt që futbollisti shqiptar nuk do të jetë më pjesë e Olimpikut të Marsejës për sezonin e ardhshëm. Një gjë e tillë është bërë e njohur dje pas lajmit të botuar në faqet e gazetës lokale "Le Provence". Sipas kësaj gazete, kapiteni i Marsejës ka vendosur të largohet nga klubi, pasi dëshiron të provojë një aventurë të re në një kampionat tjetër europian. Gjatë gjithë karrierës së tij si futbollist profesionist, Cana ka luajtur vetëm në Francë me PSG (2002-2005) dhe Olimpikun e Marsejës (2005-2009). Tashmë shqiptari dëshiron të përballet me sfida të reja. Për këtë arsye ai i është drejtuar klubit me një kërkesë "që ta lejojnë të largohet, nëse në drejtim të tij do të vijë një ofertë e kënaqshme". Kampionatet e preferuara të Canës janë Premier League dhe Bundesliga. Nga këto dy kampionate, skuadrat e interesuara për të janë të shumta, por për momentin e vetmja skuadër që ka bërë zyrtare kërkesën për të marrë shërbimin e mesfushorit shkatërrues shqiptar është Hamburgu. Drejtuesit e këtij klubi kanë ofruar 6 milionë euro për blerjen e Canës, ndërkohë që Olimpiku i Marsejës e ka refuzuar, pasi çmimi i kapitenit sipas tyre është më i lartë se kaq. Pikërisht dje është zbuluar edhe çmimi i kartonit të shqiptarit sipas klubit francez: "Cana kushton 7 milionë euro", theksojnë drejtuesit e klubit francez. Për kapitenin e marsejezëve janë interesuar edhe disa skuadra të tjera gjermane, si Shtutgarti dhe Bajerni i Mynihut, por kësaj liste dje i është bashkuar dhe një tjetër skuadër e madhe. Edhe kampioni i Gjermanisë, Volfsburgu, është futur tashmë në garë për të marrë shqiptarin. Ndërkohë që emri i Canës është në listën e shumë klubeve angleze, duke filluar që nga Liverpuli, Arsenali, Evertoni edhe Totenhemi. Nëse deri në përfundim të merkatos Cana nuk do të ketë gjetur ekipin e së ardhmes, Olimpiku do ta priste me krahë hapur për ta mbajtur edhe për sezonin tjetër, pasi kontrata aktuale e tij skadon në 2012. Shqiptari ka luajtur për katër sezone me klubin marsejez, duke zhvilluar një total prej 175 ndeshjesh (122 në Ligën e parë franceze, 15 në Kupën e Francës, 4 në Kupën e Ligës, 14 në Champions League, 18 në Kupën UEFA, 2 në Kupën Intertoto) dhe ka shënuar 8 gola (6 Ligën e parë franceze, 1 Kupën e Francës, 1 në Champions League).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›