Ndarja e mbeturinave, zgjidhja kundër ndotjes së mjedisit
Shqipëria mbetet ende larg procesit diferencimit të mbeturinave, pjesa më e madhe e të cilave mund të riciklohen dhe të garantojnë jo vetëm lëndë të parë, por edhe një mjedis më natyral e të pastër. Secili prej nesh prodhon rreth 30 kg plastikë në vit. Nëse kjo plastikë riciklohet komplet në 100 mijë banorë do të kurseheshin 10 mijë tonelata naftë e karbon, konfirmojnë specialistët e mjedisit. Po kështu, për të prodhuar 1 kg alumin nevojiten rreth 15 këh energji. Ndërsa, për të prodhuar një kg alumin të ricikluar mjaftojnë vetëm 0.8 këh. Sipas ekologjistëve për të prodhuar një tonelatë letër të parë nevojiten 15 pemë, 440 mijë litra ujë dhe 7600 këh energji elektrike. Kurse për të prodhuar një tonelatë letër të ricikluar mjaftojnë 1800 litra ujë e 2700 këh energji elektrike. Gjithashtu riciklimi i qelqit bën të mundur kursimin e qindra mijëra tonelatave naftë në vit. Këto dhe të dhëna të tjera i kanë bërë ekologjistët që të ushtrojnë më shumë presion dhe të sensibilizojnë opinionin në mënyrë që mbetjet urbane të mos shndërrohen në pushtueset e ambientit ku jetojmë. "Ekolëvizja" përmes projektit "Shqipëria ime e pastër dhe e bukur" po tenton të rrisë shkallën e sensibilizimit të brezit të ri, nxënësve të shkollave që të tregojnë kujdes për mjedisin. Përmes një projekti të mbështetur nga UNICEF dhe ambasada holandeze në shkollat 9-vjeçare të pesë qyteteve të Shqipërisë janë shpërndarë kontenierë. Në to nxënësit do të mësohen që të hedhin mbeturinat plastike, të cilat më pas do të riciklohen nga kompanitë private në vend. Nga organizatorët e projektit kjo konsiderohet si një hap i parë që duhet të pasohet edhe nga nisma të tjera të qeverisë në të gjitha nivelet për të sanksionuar ndarjen e mbetjeve urbane, në mënyrë që ato të riciklohen dhe jo të ndotin ambientin sikundër ndodh aktualisht në vendin tonë.