Fiton me Shqipërinë,kualifikohet Tunizia
Kombëtarja U-20 e Shqipërisë ka humbur 2-1 takimin e parë në Grupin D të Lojërave Mesdhetare. Edhe pse kaluan të parët në avantazh, në debutimin në "Peskara 2009" kuqezinjtë e drejtuar nga Artan Bushati nuk arritën të merrnin një rezultat pozitiv. Takimi u zhbllokua në minutën e 23-të, me golin e talentit të Flamurtarit, Ardit Shehaj. Por, festa e përfaqësueses sonë ka zgjatur vetëm 4 minuta. Skuadra afrikane ka barazuar me Ben Mesud, në të 27-ën, ndërsa kur kronometri tregonte 35 minuta lojë, Ajari ka shënuar edhe golin e fitores për të besuarit e teknikut Kasri Skander. Me këtë rezultat, Tunizia siguron kualifikimin për në fazën e mëtejshme, pasi ka barazuar 2-2 në ndeshjen e parë me Spanjën. Shqipëria do të përballet nesër me iberikët, për të përcaktuar ekipin e dytë që kalon fazën e grupeve.