Dinamo fiton ndaj Finlandës 2-0

Skuadra e Dinamos ka arritur të fitojë sot në mbrëmje ndeshjen e kthimit të turit të parë të Ligës Evropiane ndaj skuadrës finlandeze të Lahtit, me rezultatin 2-0, megjithatë kjo nuk i ka mjaftuar skuadrës së trajnerit Shkëlqim Muça për t'u kualifikuar për më tej. Kryeqytetasve u nevojitej edhe një gol për të kaluar në turin e dytë të Ligës Evropiane. Goli i shpejtë i mbrojtësit Senegalez, Pape Diop, në minutën e 11-të i bëri tifozët e shumtë dinamovitë, të pranishëm në stadiumin "Qemal Stafa" në Tiranë, që të shpresojnë për një rezultat pozitiv. Por megjithë përpjekjet e dinamovitëve pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0. Ndërkohë në 45 minutat e dyta ishte sërish senegalezi Diop ai që në minutën e 70-të shfrytëzoi mjaft mirë një pakujdesi në mbrojtjen finlandeze, duke u kthyer në heroin e takimit për dinamovitët. Në fund përpjekjet e skuadrës shqiptare ishin të kota pasi rezultati mbeti i pandryshuar, duke bërë që skuadra finlandeze e Lahtit të kualifikohet për në turin tjetër.