Dinamo fiton sërish, Tirana 1-1 me Gramozin
TIRANE- Tirana nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 kundër Gramozit, duke iu dhënë praktikisht lamtumirën shanseve për titull kampion. Bardheblutë kanë mbetur 16 pikë larg kryesuesve të Dinamos, e cila triumfoi 3-1 në Durrës kundër Teutës, duke u shpallur edhe kampione e dimrit. Ndeshja me kolonjarët mendohej si e lehtë për kampionët në fuqi, sidomos pasi ata kaluan në avantazh që në minutën e 12-të. Krosi i Gjergji Muzakës u prek me dorë nga një lojtar i Gramozit dhe arbitri akordoi një penallti, të cilën Muka e shndërroi në gol. Tirana më pas e ka ulur ritmin dhe 6 minuta nga fillimi i pjesës së dytë ishte Dos Santos ai që fitoi një 11-metërsh, pas një përplasje me Bicin. Sulmuesi brazilian e mori vetë goditjen përsipër, duke shënuar golin e barazimit. Tirana më pas ndryshoi ritmin e lojës, por deri në fund ishte e pamundur të gjente golin e fitores. Barazimi i çon bardheblutë në kuotën e 22 pikëve, ç’ka e bën arritjen e Dinamos thuajse të pamundur. Skuadra e Shkëlqim Muçës mori fitoren e 12-të në 14 javë kampionat, duke mundur 3-1 në Durrës Teutën. Kuli, Souza e Bakaj shënuan për skuadrën kryeqytetase, ndërsa përkohësisht shkurtoi diferencën Mile me penallti. Në takimin tjetër të luajtur ditën e shtunë, Shkumbini triumfoi 3-0 ndaj Apolonisë në Peqin. Dy gola nga Caushaj dhe një i Roland Dervishajt vulosën këtë ndeshje. Java e 14-të do të mbyllet me takimet Flamurtari-Skënderbeu, Laçi-Besa dhe Vllaznia-Kastrioti, që do të luhen ditën e dielë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)