Dinamo, gati sanksionet për ata që nuk zbatojnë orarin e ardhjes në stërvitje
Përveç vëmendjes që po i kushtohet mënyrës së stërvitjes, trajneri Zhupa nuk kërkon të tolerojë asnjë centimetër në thyerjen e mundshme të disiplinës në skuadër
Dje dinamovitët janë rikthyer në ambientet e ish-komleksit Dinamo, ku nën drejtimin e trajnerit Zhupa futbollistët kanë kryer edhe seancën e parë stërvitore që pas kthimit nga Struga.
Në orën 10:00 të paradites, kur edhe temperatura filloi të rritej ndjeshëm, blutë nisën të grumbulloheshin, ku si fillim morën edhe këshillat nga ana e stafit teknik dhe atij mjekësor, për mënyrat e evitimit dhe mbrojtjes nga i nxehti që ka përfshirë vendin tonë.
Ndërkohë, ajo që ishte më e rëndësishme, më tepër në aspektin e paralajmërimit se sa të këshillës ishte edhe fraza e numrit 1 të stolit të Dinamos, i cili u shpreh se ata që nuk do të zbatojnë orarin fiks të ardhjes në stërvitje do të ndëshkohen me gjobë.
Kështu, përveç vëmendjes që po i kushtohet mënyrës së stërvitjes, trajneri Zhupa nuk kërkon të tolerojë asnjë centimetër në thyerjen e mundshme të disiplinës në skuadër.
Kjo tregon edhe një herë se te Dinamo po punohet me dorë të hekurt në zbatimin e rregullave bazë të klubit. Më pas stërvitja ka filluar me vrapime të lehta rreth fushës dhe me disa ushtrime me top, ku iu dha më tepër rëndësi anës tekniko-taktike.
Të gjithë futbollistët prezentë ishin në formë të përshtatshme duke i kryer me sukses ato që kërkonte stafi teknik, edhe pse nuk ishte e lehtë të punohej në atë temperaturë aq të lartë. Me sa duket, faza përgatitore në Maqedoni ka ndikuar për mirë, si në anën psikologjike dhe atë atletike të gjithë grupit që ka në dispozicion trajneri i bluve.
