Shkrihet akulli mes aksionarëve të Partizanit, sot firmat e para
Sipas aksionarit Paro Laçi, nuk ka ngërç me ortakun e tij, pasi marrëveshja konsiderohet e mbyllur dhe sot nisin nënshkrimi i kontratave me lojtarët
Pas një kalvari të gjatë mosmarrëveshjesh thuhet se ka shkrirë akulli mes dy aksionarëve të Partizanit, Albert Xhani dhe Paro Laçi. Mësohet se marrëveshja e pajtimit është firmosur dje edhe nga Xhani, kështu që Paro Laçi ka të drejtën që të nisë administrimin e Partizanit në sezonin e ri 2012-2013.
Sipas administratorit Paro Laçi, tani gjithë vëmendja do të përqendrohet në përmbylljen e kontratave me futbollistët, si dhe plotësimin e grupit me lojtarë cilësore, që bëjnë diferencën dhe garantojnë suksesin.
Padyshim ky mesazh paqe mes dy aksionarëve të Partizanit mund të konsiderohet si një ogur i mirë dhe të shpresohet se në fund të sezonit demat e kuq do ti kthehen elitës së futbollit shqiptar.
Firmat Meqenëse ka marrë fund çështja e administrimit të klubit duke filluar nga sot te Partizani do të nisë të materializohen marrëveshjet e arritura me futbollistët, që prej javësh përgatiten nga trajneri Nikolin Çoçlli.
Nuk kemi çfarë të presim më, kështu nga sot do të nisim nënshkrimin e kontratave me futbollistët, kontrata të cilat do të jenë sipas asaj që kemi rënë parimisht dakord.
Por njëkohësisht jemi të fokusuar edhe në merkato, pasi kemi disa pika që nuk i kemi plotësuar si duhet. Them se fillimi i sezonit do ta gjejë gati Partizanin, - u shpreh administratori i të kuqve, Paro Laçi.
Përforcimet Të kuqtë kërkojnë që në këto ditë të mbetura të shtojnë radhët dhe së fundi Partizanit i janë bashkuar një sulmues malazez dhe një mbrojtës serb.
Thuhet se sulmuesi është një lojtar cilësor, por do të jetë miqësorja e sotme me Luzin prova e parë për të dy futbollistët e huaj. Për administratorin Laçi konsiderohet e mbyllur marrëveshja edhe me mbrojtësin Fatjon Tafaj, kështu që ai pritet të vishet i kuq.
Njëkohësisht si alternativë për mbrojtjen flitet edhe mbrojtësi Elton Grami. Gjithsesi nisja e procesit të nënshkrimit të kontratave i jep fund çdo dileme që mund të ketë shoqëruar kampin e kuq.
