E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaka synon ta rrëmbejë Bundesligën

Granit Xhaka synon ta rrëmbejë Bundesligën duke shfaqur paraqitje pozitive me Borussia Monchengladbachun, ku u transferua gjatë kësaj vere nga Baseli për 12 milionë euro.

Futbollisti kosovar nuk është i panjohur për klubin gjerman, pasi që kishte lënë shenja në Botërorin U-17 në vitin 2009, kur ishte shpallur kampion i botës me Zvicrën dhe ishte nënkampion i Evropës me Zvicrën U-21 në vitin 2011, dhe arriti në të tetën e finales me Baselin në Ligën e Kampionëve, po ashtu vitin që shkoi.

19 vjeçari është bërë lojtar i rëndësishëm i ekipit të Lucien Favre ende pa filluar sezoni. Kjo e bën atë të lumtur dhe e motivon edhe më shumë. “E kam ndier besimin që nga fillimi i eksperiencës këtu. Trajneri Favre është i njohur për zhvillimin e lojtarëve të rinj”, tha përfaqësuesi zviceran për të përditshmen gjermane sport.de.

Xhaka kishte hequr dorë nga Olimpiada e Londrës vetëm për ta zhvilluar komplet fazën përgatitore me Gladbachun. Anulimi i shkuarjes në Olimpiadë nuk ishte i lehtë, por ai e bëri këtë për të mirën e tij. “ Ishte e rëndësishme për mua për ta mësuar filozofinë e lojës. Këtu është një sistem ndryshe i lojës në krahasim me Zvicrën. Duhet të jesh më agresiv dhe ta mbulosh menjëherë lojtarin tënd”, vazhdoi Xhaka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›