E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo gjen gjuhën e përbashkët me Agjensinë e Sporteve, afrohet stërvitja

Nga Erjon HAMITAJ

Dita e hënë, i ka sjellë dinamovitët në orën 17:00, në stërvitje dhe seanca e djeshme ka zgjatur derisa  futbollistët dhe stafi teknik mund të shihnin fushën dhe njëri-tjetrin. Ndër të shumtat probleme që ka patur skuadra blu  gjatë këtyre ditëve ka qenë edhe ai i zhvillimit të stërvitjes në orët e vona të pasdites. Por, ky problem jo i vogël për blutë e Xhaxhit, dje ka marrë fund dhe kërkesa e trajnerit Faruk Sejdini është marrë parasysh nga drejtoresha e Agjensisë së Sporteve, Klodiana Shala.

Dinamo do të fillojë stërvitjen sot në fushë në orën 15:30, çka i jep më shumë mundësi të zhvillojnë një seancë në kushtet e duhura. Për sa i përket të tjerave kjo skuadër vijon të ketë probleme si me mensën po ashtu edhe me hotelin e futbollistëve që edhe këto kërkojnë një zgjidhje të shpejtë në ditët në vijim, në mënyrë që blutë të ndihen edhe më komodë.

Stërvitja Dje, në fushën stërvitore kanë qenë të paraqitur të gjithë futbollistët, të cilët kanë zhvilluar 45 minuta vrapime në fushën me bar artificial dhe më pas kanë luajtur një mini-ndeshje kontrolli brenda familjes për pjesën e mbetur të minutazhit. E vetmja mungesë në këtë seancë me vrapime dhe ndeshjen e kontrollit, ka qenë mesfushori Hetlem Çapja, i cili ka zhvilluar stërvitjen individuale për shkak të gjendjes gripale.

Në këtë lojë të drejtuar nga Xhaxhi dhe ndihmësi i tij Mërgjyshi, ekipi ka qenë i ndarë në dy grupe, ku rezervat janë ndeshur me titullarët. Skuadra do të jetë e plotësuar ditën e enjte pas kthimit nga impenjimi me  Shpresat i disa lojtarëve si: Imami, Marku, Peqini dhe Kule gjithashtu edhe stërvitësit të portierëve, Ilir Bozhiqi që është grumbulluar për dy ndeshjet e kombëtares.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›