E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pisha: Vllaznia mbetet pretendente, në Shkodër për ta mundur

Nga ERJON SALIU

Tirana dhe Vllaznia janë dy nga ekipet më të mira të kampionatit. Por që të fitosh titullin, duhet të mundësh edhe rivalët

Arjan Pisha, një nga blerjet e bujshme në merkaton e verës të presidentit të Tiranës, Refik Halili, në prag të transfertës me Vllazninë, beson se skuadra e tij nuk do të dalë duarbosh nga Loro Boriçi. Pisha është i bindur se do të jetë një ndeshje ku nuk do të mungojë spektakli dhe në lojë janë të tri rezultatet.

Megjithatë, një fitore ndaj një rivali të drejtpërdrejtë si shkodranët, sipas Pishës, do ti bënte shumë mirë Tiranës në këto momente. Në një prononcim që ka dhënë para përballjes me kuqeblutë, qendërmbrojtësi i bardhebluve, Arjan Pisha, ka pohuar: Deri më tani jemi në rrugë të mbarë, jemi konsoliduar shumë si skuadër sidomos me tri fitoret e fundit.

Tirana dhe Shkodra, për hir të së vërtetës, duhet pranuar që janë dy nga ekipet jo vetëm me traditë, por edhe më të mirat në futbollin shqiptar. Do të shkojmë në Shkodër me synimin e vetëm për të marrë tri pikët, pa e nënvlerësuar aspak Vllazninë. Sfidën ndaj shkodranëve e shoh të hapur dhe në lojë janë të tri rezultatet, megjithatë ne synojmë që mos të ndalemi as këtë javë.

Një fitore në Loro Boriçi do të na bënte shumë punë në këto momente, kështu që po përgatitemi seriozisht për transfertën me Vllazninë. Për titullin është pak shpejt që të flasim, megjithatë këtë sezon është objektivi ynë kryesor. Që të shpallesh kampion nuk mjaftojnë vetëm fitoret në ndeshjet brenda, por duhet të fitosh edhe në fushat e rivalëve. Fitorja me Vllazninë do të na shërbente shumë në anën morale për vazhdimësinë e garës, – pohoi fillimisht mbrojtësi i bardhebluve, Arjan Pisha.

Sulmi shkodran Pa dyshim që arma më e fortë e kuqebluve është sulmi, aty ku luajnë lojtarë me eksperiencë dhe që dinë ta gjejnë kollaj rrugën e rrjetës. Fjala është për Vioresin Sinanin, por edhe Xhevahir Sukajn dhe Armando Vajushin. Këtë mendim ka edhe Pisha, i cili thotë se shkodranët kanë një sulm vrasës dhe me lojtarë cilësorë.

Është e vërtetë që Vllaznia ka një sulm për tu pasur në konsideratë. Këtë e ka treguar deri më tani dyshja Sukaj-Vajushi, që kanë shënuar edhe gola në ndeshje të rëndësishme. Por unë nuk kam preferenca, për të markuar Sukajn apo Vajushin. Janë detyra që i cakton trajneri dhe këdo prej tyre të më lërë për të markuar, unë besoj se do tia dal.

Mbrojtja Ndër të tjera, Arjan Pisha, nuk ngurroi që ti bëjë elozhe edhe mbrojtjes së Tiranës, aty ku luan edhe vetë. Sipas tij, Tirana ka një mbrojtje shumë të fortë dhe me lojtarë që kanë fituar trofe. Kjo u pa qartë edhe në ndeshjen ndaj nënkampionit të Shqipërisë, Flamurtarit, kur sulmuesit vlonjatë nuk e goditën asnjëherë portën e Likës.

Tirana ka një mbrojtje shumë të mirë, madje këtë e kemi treguar edhe në këto katër javët e para. Besoj se edhe në Shkodër ne do të jemi në lartësinë e detyrës. Në repartin difensiv, janë të gjithë lojtarë me eksperiencë. Personalisht në qendër të mbrojties unë ndihem mirë, pasi kam në krah një partner si Dushku dhe merremi vesh me njëri-tjetrin.

Sukaj apo Vajushi? Më shumë frikë kam Sinanin

Në mbyllje të prononcimit të tij, qendërmbrojtësi me eksperiencë i bardhebluve, Arjan Pisha, foli edhe për sulmuesin shkodran Sinani të cilin e vlerëson shumë për eksperiencën, por edhe aftësitë që Viori ka si shënues. Si Sukaj ashtu edhe Vajushi njihen si shënues të mirëfilltë.

Megjithatë, unë më shumë frikë kam sulmuesin me eksperiencë të Vllaznisë, Vioresin Sinani. Është një lojtar me vlera dhe ka potenciale të mëdha. Nuk fal para portës kundërshtare, ndaj edhe në përballjen në Shkodër do të preferoja që të kisha një duel me Sinanin, – tha në formë batute Pisha.

3 Ekipe ka provuar deri më tani Arjan Pisha. E ka nisur karrierën te skuadra e qytetit të tij të lindjes, Elbasan, për të kontribuar më pas edhe për Dinamon dhe Tiranën

2 Herë e ka veshur qendërmbrojtësi 33-vjeçar Pisha fanellën bardheblu deri më tani

1 Trofe ka fituar këtë sezon me bardheblutë, Superkupën e Shqipërisë, ku bardheblutë mposhtën Skënderbeun në stadiumin e vet gushtin që shkoi

Situma nuk duket dhe shkel lejen, stafi shqetësohet

Pavarësisht se u largua me kokën e vet drejt Kenias, për shkak se ishte pjesë e listës së përfaqësueses së vendit të tij përpara ndeshjes me Ugandën dhe pritej që të kthehej në Tiranë qysh të dielën, Xhejms Situma as dje nuk ka qenë i pranishëm në kompleksin Skënder Halili. Kokëfortësia e kenianit e ka irrituar jo pak edhe trajnerin Hulian Rubio, i cili edhe në analizën e djeshme i ka kërkuar shefit të klubit, Tafaj, të dijë për vonesën e Situmës.

Situma ka qenë titullar në përfaqësuesen e Kenias në ndeshjen me Ugandën, që u zhvillua të shtunën në mbrëmje. Mirëpo vonesa e tij pa shkak dhe pa lajmëruar asnjë nga drejtuesit më të lartë, ka shkaktuar pakënaqësi të këta të fundit. Madje, burime pranë klubit thonë se ai mund të mos vijë më, megjithëse ka një kontratë dyvjeçare, e cila duhet respektuar nga ana e tij. Në bazë të kontratës, keniani nuk mund të luajë me asnjë skuadër tjetër në asnjë kampionat të botës.

Edhe trajneri Rubio vishet bardheblu

Që kur kishte ardhur në Shqipëri në fund të muajit qershor, e kishim parë trajnerin Rubio që kur drejtonte skuadrën në stërvitje të mbante veshur unifroma të ndryshme. Ndërsa në ndeshjet zyrtare ai preferon të mbajë veshje serioze.

Mirëpo dje, spanjolli që drejton bardheblutë prej afro tre muajsh, binte menjëherë në sy, sepse kishte veshur një kostum sportiv bardheblu. Uniforma karakteristike, natyrisht që nuk kishte se si të mos i shkonte edhe spanjollit Rubio, madje kjo ka rënë jo pak edhe në syrin e të pranishmëve.

 

Klodian Duro i bashkohet skuadrës në stërvitje

Dje, nën urdhrat e trajnerit spanjoll Hulian Rubio Sançez është vënë edhe mesfushori i përfaqësueses sonë, Klodian Duro. Ky i fundit kishte afro një javë që ishte vënë nën urdhrat e trajnerit Josip Kuzhe për ndeshjen me Francën dhe Rumaninë.

Mirëpo, Duro u ndëshkua me karton të verdhë ndaj Gjelave, i dyti në kompeticionet europiane, dhe nuk do të aktivizohet ndaj rumunëve. Dje, ai është stërvitur me bardheblutë, në prag të përballjes së radhës me Vllazninë, që do të luhet këtë të shtunë në Loro Boriçi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›