E Shtunë, 31 Tetor 2026

Palma e Artë për “Pemën e jetës”

SHKRUAN: Aida Tuci 24-05-2011 10:34

Filmi “The Tree of Life” i Terrence Malick, me aktorët Brad Pitt, Sean Penn dhe Jessica Chastain, është fituesi i “Palma e Artë”, i edicionit të 64-të të Festivalit të Kanës. Në mbyllje të Festivalit ndërkombëtar të filmit në Kanë të Francës, prodhimi amerikan “The Tree of Life”, i cili flet rreth historisë se tokës, origjinën e jetës dhe se ku shkon njeriu pas vdekjes, arriti të triumfojë ashtu siç dhe pritej në festivalin prestigjioz të filmit. Filmi u etiketua që në fillim si kandidat për çmimin e madh, jo vetëm për lojën e aktorëve por sidomos për mesazhin që ai përcillte, por dhe për misterin që të ngërthen pas ekranit që nga fillimi e deri në fund të filmit. Si aktorja më e mirë u vlerësua Kirsten Dunst, për interpretimin e saj në filmin “Melancholia” (Melankolia), prodhim ky i regjisorit danez Lars Von Trier, i cili vetëm pak ditë më parë u shpall person “Non grata” në këtë festival për komentet e tij dashamirëse rreth Hitlerit. Menjëherë pas komenteve të tij, Von Trier, i cili është edhe regjisori i filmit ‘Antikrishti’, u përjashtua nga festivali, megjithatë një komponent i filmit të tij “Melankolia” arriti të marrë një çmim, ai për aktoren më të mirë. Si aktor më i mirë u vlerësua Jean Dujardin për rolin e tij në filmin “The Artist” (Artisti). Regjisori iranian Mohamad Rasoluf u nderua me çmimin për regjisorin më të mirë për filmin “Be Omid e Didar”. Por në fund “Palma e artë” 2011 shkoi për filmin misterioz të Terrence Malick. Qe nga titulli “The tree of life” (Pema e Jetës), për të na e demonstruar regjisori e ka ndërtuar filmin si një simfoni rrëfimi. Regjisori na çon në fillim Amerikën e viteve ’50-të. Një familje: prindërit dhe tre fëmijët. Nëna kujton misionin e jetës, ku që e vogël i kishin mësuar se ekziston Natyra, e dhunshme dhe ku mbijeton vetëm ai që dominon. Pastaj vjen Falja, që në të vërtetë është rruga e bindjes dhe e sakrificës. Rruga e së mirës. Pas kësaj vjen vdekja e njërit prej fëmijëve të familjes. Kjo është panorama e fillimit të filmit. Pas kësaj në ekran shfaqet Sean Penn, por tashmë nuk jemi më në vitet ’50-të, por në vitet 2000. Ai është djali më i mirë i familjes. Kujton vdekjen e të vëllait, që me sa duket është një dhimbje prej së cilës ai nuk është shëruar. Deri tani ai vetëm e ka injoruar dhimbjen e tij. Ndodhia e parë: origjina e botës dhe e jetës në tokë. Shpërthime kozmike. Mbërrijnë dinosaurët. Ndodhia e dytë: Marrëdhëniet brenda familjes. Kjo është pjesa më e arrirë në këtë film. Jemi kthyer në qytetin Waco në vitet ‘50. Aty zbulojmë një grua të ëmbël dhe një burrë (Brad Pitt) autoritar. Fëmijët adhurojnë nënën dhe urrejnë babanë, të paktën këto ndjesi kanë për prindërit deri në moshën e adoleshencës. Fëmija më i madh mendon se babai është njeri fals, sepse e detyron që të sillet ndryshe nga ato që bën i ati. Ai i thotë: “bëj si them unë, mos bëj si bëj unë”. Pavarësisht se djali përpiqet t’i mbushë mendjes të atit se i ngjan të atit në thelb, ai është si e ëma, edhe pse nuk do që t’i ngjajë asaj. Nëna e tij e lejon të atin ta trajtojë si leckë. Në fakt ajo duron, toleron, sheh vetëm bardhë në jetën e saj, ajo është Falja. Ndodhia e fundit: rikthim në të tashmen. Jemi sërish në vitet 2000. Rikthehet Sean Penn, që e kishim lënë duke pyetur: Kush je? Nga je? Përse më braktise? Për ta mbyllur rrethin misterioz që mbërthen të gjithë filmin, regjisori Malick bën që Penn të kapërcejë portën mes jetës dhe vdekjes. Pas saj shfaqet deti dhe përjetësia. Aty takohet me të gjithë: nënën, babanë, vëllanë e vdekur. Qetësi. Fund. Me sa duket misteri i jetës, lufta mes të mirës dhe të keqes, por dhe pyetja e përbotshme që po aq përbotshëm ka mbetur pa përgjigje “A ka jetë pas vdekjes” vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut, por ajo që në fund vlerësohet është mjeshtëria regjisoriale. Filmi nis më vdekjen e një biri. Përfundon me pranimin e vdekjes si pjesë e jetës. Në vazhdim të tij humbet madje edhe sensi human. Kështu qoftë. As Bibla nuk i jep përgjigje misterit të jetës. Por Bibla kumton dëshpërimin e njeriut. Malick e mbyll filmin me një metaforë. Liria e shprehjes reduktohet në një sekuencë, ku në fond dëgjohen tingujt e një muzike lirike. Është një lojë metaforash, ku do ndihej jo komod edhe Stan Brakhage, lëre pastaj Kubrick.

Fituesit e Festivalit të 64-të Kanës

Palma e Artë

“Pema e jetës”, e regjisorit Terrence Malick

Për filmin me metrazh të shkurtër

“Cross Country”, i regjisores Maryna Vroda

Çmimi madh

“Once upon in Anatolia”, i regjisorit Nuri Bilge Ceylan

“Fëmija në biçikletë”, i regjisorëve Jean-Pierre e Luc Dardenne

Aktorja më e mirë

Kirsten Dunst, te "Melancholia"

Aktori më i mirë

Jean Dujardin, te "The Artist"

Regjia më e mirë

“Drive”, i regjisorit Nicolas Winding Refn

Skenari më i mirë

Joseph Cedar për “Footnote”

Çmimi i Jurisë

“Polisse”, e regjisorit Maïwenn

- Kamera e Artë

“Akaciet”, e argjentinasit Pablo Giorgelli

Çmimi special

“Rroba banjoje 46”, e regjisorit belg Wannes Destoop

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›