E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lacio jashtëChampions, Canangurron të firmosë

ITALI- Mbetja jashtë Champions League e Lacios ka prishur planet e Lorik Canës për t’u transferuar në kryeqytetin italian në këtë merkato vere. Ndërsa tratativat zyrtare ende nuk kanë nisur, mesfushori kuqezi duket i lëkundur së tepërmi për të shkuar në Serinë A. Nëse Cana kishte në plan për të kaluar te bardhekaltërit, kjo lidhej sidomos me pjesëmarrjen në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube. Ai nuk luajti në Evropë në sezonin që sapo u mbyll, pasi Gallatasaraji u eliminua që në fazën e plejofit nga ukrainasit e Krpaty L’viv. Por, edhe në sezonin e ardhshëm kjo do të jetë e pamundur nëse qëndron në Stamboll, pasi skuadra e Fatih Terim do të ketë si impenjim të vetëm kampionatin dhe Kupën e Turqisë. “Mosvajtja e Lacios në Champions League ka ndryshuar shumë gjëra, - tha një burim pranë futbollistit të përfaqësueses shqiptare. – Një nga arsyet përse Cana donte të shkonte në kryeqytetin italian ishte fakti se Lacio mund t’i ofronte pjesëmarrjen në kompeticionin më elitar për klube, por kjo nuk ndodhi”.
Tashmë mbetet për t’u parë lëvizja e radhës, por është fakt se kalimi i Canës në Serinë A është vështirësuar së tepërmi. E përditshmja italiane “Il Tempo”, shumë e lidhur me bardhekaltërit, shkruante dje se mesfushori shqiptar është vetëm një hap larg transferimit te Lacio, ashtu si edhe boshnjaku që luan me Young Boys në Zvicër, Senad Luliç. Por, përpos kësaj, gjërat duken më “lëmsh” se kurrë, pasi Cana ka edhe disa mundësi të tjera. Mbeten reale pistat që e lidhin atë me Aston Vilën e Hamburgun, por edhe këto dy klube nuk janë në Evropë. Kampionati francez duket pak i preferuar tashmë për Canën, sidomos edhe për shkak të rrogës së lartë që ka aktualisht lojtari i Shqipërisë. “Ndoshta mund të qëndrojë te Gallatasaraji, por aty është e qartë që skuadra ka nevojë për një apo dy sezone që të rikthehet sërish në majë”, bënë të ditur burime pranë futbollistit.
Përsa i përket Fatih Terim, i cili pas rikthimit në krye të ekipit deklaroi se do të largonte të huajt, gjërat mund të kenë një ndryshim pozitiv në ditët e ardhshme. Ish-trajneri i përfaqësueses turke ka bërë një hap mbrapa në lidhje me deklaratën e tij fillestare, se shumë nga lojtarët e huaj që ishin në ekip, kanë qenë zhgënjyes, duke ndikuar direkt në rezultatet e dobta të Gallatasarajit. “Nuk e kisha me të gjithë, ka nga ata që mund të qëndrojnë si Lorik Cana apo ndonjë tjetër”, ka sqaruar dy ditë më parë trajneri i ri i ekipit të Stambollit. Gjithsesi, fakti që ai ka kërkuar një mesfushor tjetër me tipare mbrojtëse, të bën pak optimist për qëndrimin e Canës në Stamboll. Edhe e përditshmja gjermane “Gazetefutbol”, shkruante dje se Cana është më pranë Serisë A italiane, referuar një nga konsulentëve të tij të merkatos, Pierre Frelot. “Jemi në negociata, por deri tani nuk ka asnjë lloj akordi”, ka thënë ai. Ndërsa drejtori sportiv i Lacios, shqiptari Igli Tare, është shprehur se Cana është një futbollist që pëlqehet nga ky klub, por deri tani nuk kanë nisur tratativat.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›