E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol automjetit të ish-teknikut të Dinamos

TIRANE-"S’besoj se unë kam qenë shënjestra e sipërmarrjes së mbrëmshme, pasi s’ia kam bërë borxh kujt të më vërë tritol në makinë”. Ky është reagimi i Ilir Dajës, ish-teknikut të Dinamos, të cilit orëve të para të së djeshmes iu vu një sasi tritoli, që më pas është shpërthyer me telekomandë në automjetin e tij tip ‘Benz’.
Në të vërtetë, në vendshpërthimin e sasisë jo të madhe të tritolit janë dëmtuar edhe tri automjete të tjera, por policia dyshon se lënda plasëse ka qenë vënë pikërisht në makinën e Dajës.
Nga rrëfimi i Ilir Dajës që dha për ‘GSH’, mësohet se lajmin e dëmtimit të automjetit e ka marrë nga policia, pasi sipas tij, automjetin e kishte lënë në vendin që e parkonte prej 7 vitesh. Iliri dëshmon se ende nuk mund ta besojë se tritoli është vënë në makinën e tij. “Aty janë dëmtuar edhe tri makina të tjera”, thotë personi, të cilin policia e beson si shënjestrën e autorëve që kanë kryer aktin rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm.

Sipas policisë së Tiranës mësohet se sasia e lëndës plasëse është vënë në kofanon e automjetit të Ilir Dajës dhe për pasojë makina ka pësuar dëmtime serioze, ndërsa janë dëmtuar edhe automjetet që ishin afër saj. Policia, e cila bën me dije se ka dërguar në vendin e ngjarjes ekspertët xhenierë, ka dokumentuar edhe ngjarjen, që me sa duket do t’iu bashkëngjitet edhe një sërë rasteve të tjera thuajse të të njëjtit ‘stil’, ku përfshihen makina të dëmtuara, banesa apo prona, me anë të shpërthimeve dhe për të cilat ende nuk ka asnjë person të vënë në pranga. Ilir Daja është një nga personazhet e njohura të botës së futbollit në vendin tonë, ku mësohet se vetëm para dy muajsh është larguar nga posti i teknikut të skuadrës së Dinamos. “Vazhdoj të jem pa punë, pasi tani sapo përfundoi sezoni dhe ende nuk kam vendosur se çfarë do të bëj për sezonin e ardhshëm”, - sqaron ish-tekniku, njëherësh një prej trajnerëve të suksesshëm në kampionatin tonë të futbollit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›