E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo kërkon dy serbë dhe një nigerian



Dinamoja, e detyruar dhe nga ndeshjet miqësore në Maribor, në të cilat dy i humbi dhe një e fitoi, ka hyrë përsëri në merkato. Vazhdon të kërkohet një mesfushor-organizator dhe një mbrojtës i majtë. Kërkimet e bluve duket se nuk janë përqendruar vetëm në Shqipëri. Që nga momenti i nisjes së periudhës përgatitore në Maribor, me ndërmjetësinë e menaxherit të FIFA-s, Adrian Aliaj, por dhe mbrojtësit të djathtë Marko Putinçani, gjithçka është përqendruar në Serbi. Burimet pranë presidencës dinamovite bëjnë të ditur për “Panorama Sport” se një i deleguar i klubit blu ka vëzhguar më së miri gjashtë skuadrat më të mira të kampionatit serb. Kështu janë parë Partizani i Beogradit, që është pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve, Crvena Zvezda, OFK Beograd, të cilat ishin në Ligën e Evropës, si dhe ekipe të tjera kryesisht të zonës së kryeqytetit serb. Dinamovitët kanë piketuar dy lojtarë, të cilëve u kanë dhënë ofertat e tyre dhe tani presin përgjigje. Deri në momentin e ardhjes së tyre dhe vënies në provë nga argjentinasi i pankinës dinamovite, Luis Manuel Blanko, emrat e tyre do të mbahen sekret.
Nigeriani Ndërkohë, dinamovitët i kanë “vënë syrin” dhe një futbollisti serb, i cili luan në rolin e mbrojtësit të majtë. Madje ka një karrierë shumë të pasur në Evropë, të paktën kështu thuhet sipas burimeve pranë presidencës dinamovite. Me të janë duke u kryer procedurat në mënyrë që ai të marrë vizën shqiptare për të hyrë në Tiranë. Por dhe ai do të jetë për provë, teksa më pas do të jetë trajneri Blanko ai që do të japë “ok”-in e tij për këtë futbollist, nëse vlen për Dinamon apo jo. Dhe të gjitha këto afrime vijnë dhe për shkak të kërkesës për një mbrojtës të majtë dhe mesfushor organizator. Sepse deri në këto momente, dinamovitët janë përpjekur të luajnë në këto pozicione me të “arnuar”. Ndoshta me të huaj mund t’ia dalin më mirë, edhe duke qenë se nuk ka limit në aktivizimin e tyre në kampionatin shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›