E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muça e nis sezonin... me hakmarrje



Skënderbeu, në maratonën e miqësoreve, planifikohen tre të tilla, njëra prej të cilave në Greqi. Skuadra korçare tashmë e plotësuar, ndonëse është në kërkim të një sulmuesi, ka filluar të hënën stërvitjen. Në orën 17:30, trajneri i skuadrës Shkëlqim Muça ka pasur në dispozicion gati të gjithë futbollistët, ndërkohë që skuadra ka përjetuar momente emocionesh nga një pritje e organizuar e tifozëve. Pavarësisht kësaj, trajneri kryeqytetas nuk ka dashur asnjë humbje kohe, pasi ka planifikuar tre miqësore njëra pas tjetrës. Në mesjavë, pra të mërkurën, korçarët do të përballen me Dinamon, skuadër e cila sezonin e kaluar pati dalë kampione, pikërisht nën udhëheqjen e trajnerit Shkëlqim Muça. Trajneri tiranas, në fund të sezonit bëri “divorc” me blutë për t’u ndalur për një sezon të plotë në qytetin juglindor të Shqipërisë. Sfida me kampionët në fuqi është një test i rëndësishëm për korçarët e Shkëlqim Muçës, ndërkohë që sot skuadra do të udhëtojë drejt kryeqytetit për të qenë plotësisht gati për sfidën me dinamovitët të mërkurën. Më pas, fundjava do të jetë e zënë me një tjetër ndeshje, e cila do të luhet ndaj Elbasanit. Këtë ndeshje korçarët ende nuk kanë vendosur se ku do ta luajnë. Një mundësi është Pogradeci, nisur dhe nga fakti që stadiumi i tyre është në rikonstruksion e sipër. Megjithatë është duke u diskutuar dhe mundësia për t’u luajtur në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit. Në fakt, detajet e kësaj ndeshjeje do të mësohen pas sfidës me Dinamon, ndërkohë që bardhekuqtë e kanë nisur me vrull javën e tyre të punës. Por miqësoret nuk mbyllen këtu, edhe sepse më 17 gusht Skënderbeu do të jetë i ftuar në Selanik, teksa do të ndeshet me Kallamarian. Do të duhen përfundimi i procedurave për vizat hyrëse të lojtarëve në shtetin grek për të zhvilluar dhe këtë takim që është përcaktuar të luhet në datën 17 gusht. Gjithsesi, miqësoret e deritanishme kanë qenë një prezantim i mirë i bardhekuqve, ndonëse kanë pasur dhe një humbje ndaj ekipit ballshiot të Bylisit, që është komentuar gjatë. Në Korçë është e rëndësishme që po fryn një erë e re ndryshimi dhe Skënderbeu do ta demonstrojë më së miri fytyrën e tij të re në startin e kampionatit në sezonin futbollistik, 2010-2011. Albana çakshiri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›