E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojtësi vlerëson edhe integrimin e të rinjve në ekip Thirrja e Dallkut: Dua mbarë Kosovën në “Niko Dovana”

Nuk do ta kenë të vështirë qytetarët kosovarë që “t’i binden” thirrjes së Armend Dallkut për përkrahje në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit ditën e nesërme ndaj Uzbekistanit.

Kjo pasi qytetit bregdetar gumëzhin në këto ditë të nxehta vere nga pushuesit kosovarë. Duke shfrytëzuar kërë gjë mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u ka kërkuar dje në konferencën për shtyp, që jo vetëm tifozët nga Shqipëria, por edhe ata nga Kosova të jenë të shumtë në numër në mbështetje të ekipit përfaqësues. “Ata e dinë dhe e kanë atë ndjesi për të qenë pranë Kombëtares. Besoj se do të jenë në një numër të madh dhe ne në fushë japim maksimumin. Mendoj se pak rëndësi, ka ku luhet ndeshja, edhe pse jam i bindur që tifozeria do të jetë e shumtë në Durrës për të na përkrahur në këtë ndeshje. Jo vetëm tifozët durrsakë por edhe ata kosovarë shpresoj të jenë të shumtë, për të na sjellë fat këto eliminatore që nisim në shtator”, - tha Dallku, i cili e ka nisur karrierën e tij futbollistike te Kosova Vushtri, përpara se të kalonte te Prishtina.
I zbuluar nga ish-trajneri gjerman, Hans-Peter Brigel, në vitin 2005, kosovari që luan prej gjashtë sezonesh në Ukrainë me Vorskla Poltavën është shumë i rëndësishëm për trajnerin Josip Kuzhe, në planet e këtij të fundit, jo vetëm për miqësoren e radhës kundër Uzbekistanit, por për të dhjetë ndeshjet e fushatës kualifikuese të Kampionatit Evropian 2012. “Mendojmë se na shërben shumë kjo ndeshje, duke pasur parasysh që kemi pak probleme rreth ekipit. është një ndeshje e rëndësishme si për trajnerin dhe për ne, ku dihet se është ndeshja e fundit para eliminatoreve”, - vazhdoi Armend Dallku, një nga pesë lojtarët kosovarë të thirrur për miqësoren kundër Uzbekistanit, së bashku edhe me dy portierët Arjan Beqaj e Samir Ujkani, mbrojtësin Debatik Curri dhe mesfushorin Lorik Cana.
Mbrojtësi përkrah edhe të rinjtë që ka thirrur Kuzheja për këtë ndeshje, duke theksuar rëndësinë e një prezantimi sa më dinjitoz të tyre ndaj Uzbekistanit. “çdo gjë e re është e mirë dhe e bukur. Besoj dhe shpresoj tek djemtë e rinj të japin më të mirën. Gjithsesi, ne nuk mund t’i harrojmë të vjetrit në Kombëtare. Sigurisht, jam i bindur që të gjithë këta të rinj do të japin maksimumin në ekipin kombëtar”, - ka vazhduar Dallku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›