E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo, kreu i klasifikimit kalon nga Gramozi i Canajt

Stadiumi kombëtar, "Qemal Stafa", do të mikpresë sot Dinamon, e cila do të përballet me ekipin e Gramozit, debutues në kategorinë superiore. Objektivi i kryeqytetasve do të jetë marrja e tri pikëve të radhës dhe për të siguruar shkëputjen e vetme në krye të Kategorisë Superiore. Pas barazimit në Korçë, blutë e Shkëlqim Muçës, pretendente për titullin e këtij sezoni, kërkojnë me çdo kusht fitoren. Në radhët e skuadrës nga Erseka ndodhet një trajner me mjaft eksperiencë, si Agim Canaj, i cili ka drejtuar më parë jo vetëm Dinamon, por edhe disa skuadra të tjera të Shqipërisë. Gjithsesi, pavarësisht dëshirës së madhe të Gramozit për të arritur një sukses në kryeqytet, dinamovitët janë përgatitur maksimalisht për këtë sfidë. Bëhet fjalë për një sfidë të lehtë në letër edhe për faktin se Dinamo do të luajë në shtëpi, në "Qemal Stafa". Dinamos i rikthehen në dispozicion Gentian Muça dhe Nikolas Del Monte. Ndërsa do të mungojë mesfushori Bekim Kuli.
Një tjetër përballje interesante e kësaj jave do të jetë ajo mes Apolonisë dhe Flamurtarit. Skuadra fierake e drejtuar nga trajneri serb, Esad Karishik, renditet në vendin e 3-të me 16 pikë në 8 ndeshje, ndërkohë që Flamurtari i Gugash Maganit në vendin e fundit (12) me 9 pikë më pak, 7. Apolonia, që ka shfaqur në këtë fillim sezoni një profil të qartë prej pretendenteje për një vend në kompeticionet europiane, nuk ka humbur asnjë pikë në katër përballjet shtëpiake (katër ndeshje, katër fitore), dhe me këtë sfidë synon të ruajë vazhdimësinë edhe ndaj vlonjatëve. Flamurtari nga ana e tij ka marrë vetëm 3 pikë nga 12 të mundshmet në transfertë. Apolonia është skuadra me sulmin më të mirë në këto javë: 13 gola, kundrejt 6 golave të shënuar nga Flamurtari. Në javën e 8-të, Apolonia barazoi me Besën (0-0) në transfertë, ndërsa Flamurtari barazoi në shtëpi 1-1 me Shkumbinin. Trajneri Gugash Magani nuk do të ketë në dispozicion gjashtë lojtarët e pezulluar nga klubi, përfshirë dhe kapitenin Halim Begaj. Fitorja e fundit e Apolonisë me Flamurtarin është ajo 2-0, më 31 janar 2009, ndërkohë që bilanci historik flet për Flamurtarin, 30 fitore në 65 ndeshje të luajtura midis tyre. Sfida tjetër do të jetë ajo mes Shkumbinit (vendi i 10) e Laçit (9), që ndodhen në të njëjtën kuotë pikësh. Nesër do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit, që do të mbyllin edhe javën e 9-të, Kastrioti-Besa dhe Teuta-Skënderbeu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›