Ndërmjetësimi i IOC sheshon konfliktin KOKSH-MTKRS
Më në fund është arritur të sheshohen problemet që çuan në një konflikt të hapur mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Por një gjë e tillë u konkretizua pikërisht dje, falë ndërmjetësimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), që ishte njëkohësisht edhe organizatori i këtij takimi. Lajmi është bërë i njohur dje nga zyra e shtypit e institucionit më të lartë qeveritar për sportin. Me ftesë të presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Zhak Rozhe, ministri shqiptar i Sporteve, Ferdinand Xhaferri, zhvilloi dje një takim pune në mjediset e selisë së këtij komiteti, në Lozanë të Zvicrës, ku ishin të ftuar dhe Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Agim Fagu dhe sekretari i Përgjithshëm, Stavri Bello. Në takim ndodhej dhe Pere Miro, drejtor për marrëdhëniet me Komitetet Olimpike Kombëtare në KON. Gjatë diskutimit mbi zhvillimet e fundit, ministri Xhaferri i siguroi drejtuesit e lartë të IOC për predispozitën e shtetit shqiptar për ofrimin e zgjidhjeve më optimale në frymën e paqes dhe solidaritetit olimpik, duke vënë në plan të parë interesin dhe përfitimin e sportit dhe sportistëve shqiptarë dhe imazhin e tyre në arenën ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, MTKRS pranon të njohë zgjedhjet e KOKSH-it e premton "një frymë të re bashkëpunimi" me organizata ombrellë të federatave sportive.
A. Manallari
A. Manallari