Dinamo lakuriq drejt Laçit, blutë mjekohen mes natyrës
Edhe përpara transfertës kurbinase, kushtet e bluve nuk kanë ndryshuar në stërvitje, duke e bërë më të vështirë misionin për pikë
Laçi Dinamo (nesër 13:00)
Dinamo vazhdon të stërvitet mes shumë problemeve. Sigurisht, kushtet në të cilat blutë zhvishen dhe ndërrohen përpara dhe pas seancës stërvitore, janë vërtet skandaloze. Pavarësisht se mediat sportive, si të shkruara dhe vizive, kanë ngritur gjithnjë alarmin për këtë fenomen, duket se gjithçka vazhdon të bjerë në vesh të shurdhër. Edhe në seancën e djeshme dinamovitët kanë vazhduar peripecitë e tyre në natyrë.
Si lojtarët, ashtu edhe stafi teknikë apo ai mjekësor janë sajuar si të munden në rrjetën që rrethon fushën me bar sintetik. Dikush zhvishet dhe var rrobat në telat e rrjetës, duke sajuar një dhomë zhveshjeje, ndërkohë që Malota dhe Deliallisi, Osmani dhe të tjerë, mjekohen dhe bëjnë fizioterapi në mes të fushës, sepse në dhomën që përdoret për këtë arsye, tashmë mund të gjesh gjithçka, pasi në momentin e zbrahjes së zyrave të Dinamos nga ana e Agjencisë së Sporteve, gjithçka është depozituar në këtë dhomë, e cila tashmë mund të quhet magaza apo bodrum.
Tani shirat dhe i ftohti nuk janë në kulmin e tyre, por më vonë cila do të jetë zgjidhja për Dinamon? Sigurisht, fizioterapia do të zhvillohet në makinë, apo dinamovitët mund të marrin një shtëpi me qira pranë kompleksit, në mënyrë që ta përdorin për dhoma zhveshjeje apo analiza të ndryshme, pasi edhe kur trajneri Faruk Sejdini dhe stafi i tij duhet të bëjnë një analizë me ekipin, ajo ndodh në natyrë. Një skuadër futbolli smund të jetë një grup gjimnazistësh, që dalin për ekskursion në natyrë.
Futbolli ka disa standarde, të cilat duhen respektuar. Por kur sheh se si është katandisur Dinamo, të vjen vërtet keq nëse dëgjon fjalën futboll. Blutë do të udhëtojnë drejt Laçit për një rezultat pozitiv, por pa dyshim amullia e krijuar si pasojë e kushteve të infrastrukturës ndikon jo pak në performancat e skuadrës. Është e lehtë për tu parë e dëgjuar, por nëse dëgjon vetë dëshmitarët, pra pjesëtarëte ekuipazhit të Nëndetëses, ata më shumë se të gjithë mund të tregojnë vështirësitë që po hasin në kompleksin pa emër, më parë i quajtur Dinamo.
Dinamovitët ndodhen në vendin e fundit me -1 pikë, pas vendimit të marrë nga FIFA si pasojë e mospagesës së futbollistit kroat Dario Bodrusiç, i cili më parë është aktivizuar në radhët e Dinamos, duke fituar edhe titullin kampion gjatë sezonit 2007-2008. Një pikë do të ishte pozitive për ish-kampionët, por gjërat janë tepër të vështira, në këtë moment edhe morali është tepër i ulët tek blutë.
Gjithsesi, të presim dhe të shikojmë çfarë fytyre do të ketë Dinamo e sezonit transfertës së radhës. Stërvitja e djeshme është zhvilluar në ritme të kënaqshme. Teksa në fillim blutë e kanë nisur me kuadrate, më pas gjuajtje në portë dhe në fund një lojës mes grupit, ku e veçanta e saj ishte që futbollistët luajtën me 2 topa. Kjo është pak a shumë një përmbledhje e një ditë në kampin blu. Flitet për një takim me ministrin Aldo Bumçi, por që ka 4-5 muaj që nuk realizohet. Të shohim, nesër lind një ditë e re
Blutë, kundër gjyqtarëve të huaj
Ashtu siç ka bërë të ditur edhe në numrin e djeshëm të gazetës, trajneri Faruk Sejdini, duke shprehur shqetësimin për xhaketat e zeza, sërish blutë duket se kanë ngritur zërin për këtë problem. Burime pranë këtij ekipi bëjnë të ditur se fuksionarë të Dinamo kanë kontaktuar me ata të FSHF-së për të shprehur në njëfarë mënyre shqetësimin lidhur me këta gjyqtarë të rinj dhe pa eksperiencë, të cilët sipas drejtuesve blu kanë gabuar në gjykimet e deritanishme kundrejtë Dinamos.
Stafi blu ka ngritur zërin edhe në ndeshjet e fundit, në fillim ndaj Shkumbinit në kampionat, teksa i është mohuar një 11-metërsh në favor të Asllanit dhe më pas në kupë përballë Bylisit, ku sipas trajnerit Sejdini, është akorduar një 11-metërsh i paqenë. Për ndeshjen LaçiDinamo mësohet se gjyqtar është caktuar Labjen Mustafaraj.
