Qirjako: Gramozi duhet të hyjë me besim në fushë
Trajneri kolonjar e mendon të vështirë sfidën me Mamurrasin, por mendon se këtë herë të tijtë nuk do të gabojnë
Gramozi dhe Mamurrasi luajnë sot në Ersekë një ndeshje përcaktuese për të dy ekipet, që kërkojnë tu bashkohen pretendentëve për superligën. Kolonjarët kanë gabuar shumë javët e fundit, duke lënë pikë edhe në fushën e tyre, ndaj dhe sot tifozëria pret që Gramozi të kthehet te fitorja. Edhe barazimi do të ishte një kapitullim për këtë ekip sa u takon pretendimeve për një kategori më lart.
Në kampin kolonjar është punuar shumë për këtë takim delikat, ku mendohet se Gramozi do të luajë me 11-shin më të mirë. Për trajnerin Ilir Qirjako, gjendja e ekipit është shumë e mirë, por për Sportin shqiptar pranon se duhet shumë djersë në fushë për të marrë 3 pikët: Kemi kaq ditë që po përgatisim përballjen me Mamurrasin, sepse duhet të rregullojmë atë imazh të keq të krijuar nga rezultatet e javëve të fundit.
Për këtë ndeshje kemi pnuar shumë në aspektin tekniko-taktik, sidomos me lojtarët sulmues, që kanë pasur më shumë probleme. Gjendja e grupit më duket shumë e mirë dhe e rëndësishme është se do të luajmë me formacionin më të mirë. Nuk ka asnjë lojtar të dëmtuar, por mungojnë për shkak pezullimi Caka dhe Shehu, ka thënë trajneri Qirjako. Ndeshja me Mamurrasin konsiderohet provë e forcës së kolonjarëve, të cilët pretendojnë të ngjitin shkallët e renditjes.
Çështje besimi Një fitore e mundshme në 90-minutëshin e sotëm do ti afronte shumë me kreun. Luajmë para tifozëve tanë dhe për këtë do të kërkojmë vetëm fitore, por, sesa do ta arrijmë, mbetet për tu parë. Mamurrasi është një ekip i mirorganizuar dhe në transfertë paraqitet mirë e merr pikë. Kjo do të thotë se do ta kemi të vështirë, ndaj dhe duhet të luftojmë për çdo top dhe të jemi sa më konkretë para portës.
Deri tani sulmuesit kanë gabuar shumë, madje edhe në ato raste që quhen flagrante, por nuk duhet të harrojmë mbrojtjen, pasi një gol i pësuar do të na i ndërlikonte shumë gjërat. E rëndësishme është që ekipi të hyjë me besim në fushë, sepse vetëm kështu do të tregojë vlerat e vërteta. Mendoj të aktivizoj edhe lojtarë të rinj, – përfundon trajneri i Gramozit, Qirjako. Kolonjarët pritet ta nisin ndeshjen e sotme me këtë formacion: Dervishi, Kodra, Peçi, Lamaj, Fasko, Bilibashi, Shupe, Musabelliu, Nela, Lumani, Hysolli.
