Hysi: Butrinti, ndeshje intriguese që duhet fituar
Trajneri i Luftëtarit, Mustafa Hysi, shpreson që sulmi ta thotë fjalën e tij në ndeshjen e sotme
Në Sarandë luhet sot një takim mjaft interesant, ku rezultati është i paparashikueshëm. Luftëtari, si udhëtues, ka forcën shifrore 1 fitore dhe 1 humbje, me golaverazhin 1-1, kurse Butrinti, si pritës, ka 2 fitore dhe 1 barazim, me golaverazhin 4-1. Sarandiotët do të përpiqen ta godasin me silurë Luftëtarin, fqinjin e afërt, që këtë sezon me ngulm kërkon ngjitjen në superiore dhe për këtë i duhen pikë dhe vetëm pikë në radhë të parë. Këto ekipe e njohin mirë njëri-tjetrin, qoftë për lojtarë të këmbyer ndër vite, por edhe nga dy miqësoret që zhvilluan në fazën përgatitore.
Luftëtari disponon lojtarë të tillë si Devolli, i cili bën diferencën, por edhe portierin Selimaj, që rezulton më hermetiku deri tani, mbrojtësit Sinani dhe Baci, mesfushurët Ramadani dhe Mersini, sulmuesin Nora e të tjerë, që plotësojnë 11-shin e parë, si Shalari, Gaxhaj, Çaço dhe Raboshta. Por edhe Butrinti ka të tijtë, ku veçohen sulmuesi Muço dhe mesfushori Kola, të cilët kanë qenë edhe në përbërje të gjirokastritëve disa sezone më parë. Janë edhe lojtarë të tjerë me vlera, kështu që dyluftimi në fjalë do të jetë mjaft i fortë edhe për faktin se në stadiumin e Sarandës shkojnë shumë tifozë në përkrahje të ekipit të tyre. Pra, Butrinti ka edhe lojtarin e 12-të.
Besimi i Hysit Trajneri i Luftëtarit, Mustafa Hysi, thekson se ekipi i tij do të luftojë me të gjitha energjitë për ta fituar këtë ndeshje: Shkojmë në Sarandë pa eufori, me lojtarët më të mirë që disponojmë, për tu përballur me një kundërshtar që e njohim mirë dhe e vlerësojmë. Pra, e vlerësojmë edhe vetë ndeshjen si mjaft të fortë dhe intriguese. Është një ndeshje e rëndësishme për ecurinë tonë.
Kur them se e njoh Butrintin, dua të evidentoj se ka disa lojtarë me të dhëna të mira dhe në tërësi luan me grintë. Jemi përgatitur për ta përballuar me sukses dhe shpresoj që në këtë ndeshje, më së fundi sulmi do të jetë më rentabël, edhe pse ekipit tonë i mungon organizatori Stoja, që është afër përfundimit të dënimit prej 8 ndeshjesh. Ne do të luftojmë për fitore dhe çdo gjë do të përcaktohet në fushën e blertë, u shpreh trajneri Hysi.
