Vujadinoviç: Smë trembin kritikat, më shihni në Vlorë!
Portieri malazez i Vllaznisë kërkon të lërë pas ndeshjet e fundit, ku edhe ai ka gabuar jo pak, madje duke qenë në shënjestër
Në këtë kampionat nuk ka kaluar momente të mira. E pranon edhe vetë. Ndoshta është gjendje momentale, megjithatë, vetë ai mendon se nuk i meriton gjithë ato kritika që kanë vërshuar ndaj tij ditët e fundit. Nuk ka asgjë me mediat, as me specialistët që mund të kenë folur për të. Miroslav Vujadinoviç, malazezi që mbron portën e Vllaznisë, nuk ka dëshirë tu kundërpërgjigjet. Shkurt, u thotë: Më shihni në Vlorë, në ndeshjen e radhës. Të gjitha këto, 28-vjeçari i ka rrëfyer në intervistën e tij të djeshme për Sportin shqiptar, kur ka thënë:
Vujadinoviç, shumë kritika për ju në këtë fillim kampionati. Çfarë po ndodh?
I kam ndjekur të gjitha, pavarësisht se nuk e kuptoj mirë gjuhën shqipe, por me anë të miqve dhe kolegëve të mi të skuadrës jam informuar për gjithçka është thënë në adresën time. Megjithatë, është punë e tyre.
Thuhet që nuk jeni ai portieri i sezonit të kaluar. Realisht, cila është forma juaj sportive?
Kam bërë stërvitje si më parë, jam përkushtuar si më parë dhe nuk ka pasur asnjë lloj tolerimi apo ndryshimi në mënyrën e të stërviturit apo të luajturit. Thjesht mund të kem kaluar ndonjë moment jo të mirë dhe kaq. Secilit i takon të kalojë momente të tilla dhe unë personalisht nuk ndihem i shqetësuar, sepse jam i bindur se do kthehem shpejt në formën time më të mirë.
Kur do të ndodhë kjo?
Që nga ndeshja e nesërme (e sotme) me Flamurtarin, unë do rikthehem si protagonist dhe paraqitja ime do jetë krejt ndryshe. Jua premtoj këtë gjë. Kam besim të madh te vetja, u besoj shumë aftësive të mia dhe prandaj mendoj se do tia dal me sukses në këtë takim.
Shumë simpati për ju në Shkodër, ndërsa sivjet është ndryshe. Ju vjen keq për këtë?
Simpatinë vjet e fitova me paraqitjet që bëra dhe, nëse në këtë sezon në ndonjë rast i kam zhgënjyer mbështetësit e mi, kjo do rregullohet dhe ju garantoj për këtë gjë.
Do ti bëni për vete edhe mediat sërish?
Unë skam pasur kurrë probleme me mediat. I kam respektuar dhe vazhdoj ti respektoj. Kemi marrëdhënie korrekte dhe nëse disa gazeta apo televizione kanë folur kundër meje këtë periudhë, unë nuk dua të merrem shumë me këtë gjë. Besoj se do ti bind sërish me formën time të mirë që nga ndeshja e radhës.
Pikërisht për ndeshjen e radhës, cili është objektivi i Vllaznisë në Vlorë?
Nëse do të fitonim, do të ishte një mrekulli, por unë personalisht do isha i kënaqur edhe me një barazim në këtë ndeshje. Luajmë ndaj një skuadre shumë të fortë dhe nuk do ishte keq të merrnim edhe një pikë, puna është vetëm të mos humbim.
Belisha: Të tregojmë veten në Vlorë
Në ndeshjen e së mërkurës në Elbasan ai nuk ka luajtur, ngaqë është lënë pushim nga trajneri Josa me qëllim rikuperimin e energjive për ndeshjen e sotme ndaj Flamurtarit. Amarildo Belisha, njeriu që në mungesë të Sinanit do mbajë sërish sot shiritin e kapitenit, duke folur në lidhje me këtë takim, shprehet:
Dëshira është e madhe për të marrë pikë në këtë ndeshje.Vllaznia asnjëherë nuk ka luajtur si inferiore ndaj asnjë skuadre dhe e tillë do shfaqet edhe në Vlorë. Kam shumë besim tek aftësitë e skuadrës, sepse nëse bëjmë lojën tonë, jo vetëm do ta vëmë në vështirësi Flamurtarin, por do të synojmë edhe fitoren në këtë ndeshje. Jemi të përgatitur për këtë gjë dhe shpresojmë që gjërat të shkojnë mire.
Sinani e Smajli mungojnë, në dyshim Popoviç
Për ndeshjen e sotme me Flamurtarin, skuadra shkodrane, përveç Smajlit për arsye kartonësh, nuk do të ketë të gatshëm as kapitenin Sinani. Ky i fundit ka pësuar një tërheqje të lehtë muskulore në ndeshjen me Tiranën dhe, për rrjedhojë, pas mungesës me Elbasanin, do të mungojë sërish edhe sot. Përveç tij dhe Smajlit, në dyshim është edhe mbrojtësi malazez Popoviç. Ai ka pësuar një goditje në brinjë dhe dje është stërvitur lehtë pa ngarkesë.
Do të shihet gjendja e tij edhe sot dhe më pas do të vendoset nëse do të luajë apo jo. Nëse nuk luan edhe ai, atëherë problemet do të shtohen për trajnerin Josa, sepse nuk është pak të mos kesh në dispozicion lojtarë, si Sinani, Smajli, Popoviç, Nimani e Hasani, pra gati gjysma e një skuadre. Megjithatë, duhet bërë pa ta, madje për të pretenduar marrjen e pikëve në Vlorë pasditen e sotme.
