E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani për fitore në Përmet, në mesjavë me Memaliajn

Nga ILIR CARA

Për një javë, të kuqtë kanë tri ndeshje, por nesër i pret një sakrificë përmetare, ku nga autobusi kalojnë direkt e në fushën e lojës

Të kuqtë e kryeqytetit i pret një javë plot ngarkesë, nga varet shumë edhe fati Partizanit të fazës së parë. Të dielën demat e kuq janë mysafirë në Përmet, ndërsa të mërkurën kanë ndeshjen e prapambetur me Memaliajn dhe 4 ditë më vonë presin Sopotin. Sipas mbrojtësit Rigels Çullhaj, në këto tri ndeshje duhet bërë dhe marrë maksimumi, pasi 9 pikë mund të ndryshojnë shumë gjëra në pozitën e Partizanit në Grupin B. Nesër të kuqtë i pret një sakrificë e madhe, pasi duhet të udhëtojnë brenda ditës për të luajtur transfertën e Përmetit.

Në pamundësi për tu grumbulluar, të kuqve u bie ta bëjnë nxemjen në udhëtim dhe, sapo të zbresin, direkt e në fushën e lojës. Partizani, nën administrimin e ministries, ka përmirësuar disa gjëra primare, por faktori financiar mbetet sërish në miniaturë. Thuhet se kur Partizani luan jashtë kryeqytetit, dikasteri i mbrojtjes afron për të kuqtë një autobus komod si dhe 400 mijë lekë (të vjetra) që shkojnë për karburant dhe drekën e futbollistëve.

Për këtë transfertë të largët skuadra e kishte të nevojshme grumbullimin, në mënyrë që të ishte në gjendje normale për të përballuar takimin. Përpos vështirësive dhe lodhjes që i pret, për demat e kuq nuk ka alternativë tjetër, përveç fitores, sigurisht nëse kanë si synim rikthimin e shpejtë në kategorinë e parë.

Stafi teknik ka kërkuar nga lojtarët që me çdo kusht duhet marrin maksimumi në Përmet, përndryshe do të jetë e vështirë rikuperimi i pikëve të lëna në dy javët e fundit. Partizani javën e parë të kampionatit nuk e luajti, pasi Memaliaj u pranua në çastet e fundit, kështu që sfida u la të zhvillohej më vonë. Ky takim me memaljotët është vendosur të luhet të mërkurën e 26 tetorit dhe me të gjitha gjasat kjo sfidë do të zhvillohet në qendrën stërvitore të ekipeve kombëtare në Kamzë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›