Dinamo lamtumirë Muçës, gati Blanko
Shkëlqim Muça nuk do të jetë më trajneri i Dinamos. Pas një viti e gjysmë të suksesshëm, madje edhe duke u shpallur kampion, aventura e tij te blutë është mbyllur dje. Në takimin në Durrës mes zëvendëspresidetit Avni Braçe dhe teknikut në fjalë është mësuar se nuk do të ketë rinovim kontrate për Muçën. Gjithçka është konfirmuar më pas nga vetë dy protagonistët e takimi, të cilët kanë zyrtarizuar kështu një divorc, i cili pritej prej shumë kohësh për shkak të marrëdhënies jo të mirë me drejtuesit e lartë të klubit. Sikurse mësohet, vetëm pak kohë më parë blutë i kishin bërë Muçës një ofertë: atij i ishte ofruar të drejtonte përsëri ekipin pas eliminimit në Champions League, ku trajner do të ishte argjentinasi “hije” Luis Manuel Blanko. Por Muça e kishte refuzuar këtë propozim. Ndaj takimi i djeshëm ka qenë vetëm formalitet divorci. Tashmë ish-trajneri është i lirë. Ofertat duket se nuk i mungojnë, pasi ai është përmendur mes kandidatëve për stolin e Skënderbeut. Gjithsesi për të mësuar të ardhmen e tij do të duhet të presim. Ndërkohë që te Dinamo pritet të zyrtarizohet emërimi në stol i argjentinasit Luis Manuel Blanko. Ky i fundit pritet të sjellë edhe disa bashkëkombës nga Argjentina, të cilët do të jenë përforcime për Champion Leaguen.
#