KOKSH dhe MASH, aktivitete edukuese në Durrës e Tiranë
Për të “mbjellë” sportin në jetën e të rinjve dhe fëmijëve, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Tiranës dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve, organizuan dhe zhvilluan aktivitetin me emrin “Dita e Edukimit Olimpik”, në Fshatin SOS, Tiranë. Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 150-200 nxënës të shkollës, të cilëve iu përcoll mesazhi olimpik. Ata ushtruan në aktivitete të ndryshme sportive, si dhe një pjesë e nxënësve u ushtruan në vizatime të ndryshme me temë olimpike. “Gjëja më e rëndësishme e aktivitetit ishte përcjellja e mesazhit olimpik, u shpreh zyrtari i KOKSH-it, Kliton Muça. Ishin me dhjetëra e dhjetëra nxënës që u aktivizuan në sporte të ndryshëm dhe që krijuan vizatime e skica, që do të jenë pjesë e një konkursi të madh të të gjithë shkollave të vendit”. Fshati SOS, përveç nxënësve “të zakonshëm”, ka edhe një numër të madh nxënësish nga familje të varfra dhe me probleme, madje një pjesë e të cilëve jetojnë në konvikte. Po kështu, KOKSH, organizoi një aktivitet të tillë edhe në qytetin e Durrësit, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Durrës dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 500 nxënës, nga 16 shkolla 9-vjeçare të qytetit të dytë më të madh të Shqipërisë. Aktiviteti nisi me një pishtar olimpik, simbol i sporteve moderne, ndezja e të cilit u bë në një vend gjithashtu simbolik, siç është amfiteatri antik i qytetit. Flaka olimpike u zbrit nga shkallët e amfiteatrit pranë mureve mesjetare të qytetit, nën tingujt e himnit olimpik, për t’u zhvendosur gjithçka në shëtitoren Taulantia. Kjo ditë e edukimit olimpik pati gara të sporteve të ndryshëm si not, karate, rrëshqitje me patina, ku morën pjesë fëmijë të moshave 10-15 vjeçare, si dhe një kros me pjesëmarrje të rreth 100 djemve dhe vajzave të veshur me bluzat me emblemën “Edukimi Olimpik”.
#