Dinamo mund 2-0 Flamurtarin dhe nuk u ndahet kryesuesve
Dinamo e Shkëlqim Muçës nuk di të ndalet. Blutë fitojnë edhe ndeshjen e dytë radhazi me në krye trajnerin e ri, i cili rezulton një lëvizje e goditur e drejtuesve të këtij klubi. Viktima e radhës e Dinamos së Muçës ka qenë pikërisht Flamurtari, por ai që i jep edhe më shumë prestigj fitores 2-0 të bluve është fakti se, ndeshja është luajtur në shtëpinë e vlonjatëve. Në letër parashikohej si një sfidë e vështirë e kampionëve në fuqi të vendit, por në fushë nuk ka qenë edhe aq. Skuadra e Muçës e ka dominuar kundërshtarin, duke krijuar disa raste për shënim. Pjesa e parë ka qenë disi më e vakët, me gjithë përpjekjet e të dy ekipeve. Ndërkohë që fraksioni i dytë i lojës, ka nisur vrullshëm për miqtë, të cilët kanë mundur ta gjejnë golin e avantazhit në minutën e 49-të me anë të Allmuçës. Kjo goditje e ka shokuar Flamurtarin, i cili është shpërqendruar dhe ka marrë edhe një goditje të dytë brenda 4 minutave. Në minutën e 53-të në një krosim të Igli Allmuçës, një mbrojtës vendas ka mundur t‘ia largojë topin nga koka Bakajt vetëm me dorë dhe gjyqtari ka dhënë një 11-metërsh në favor të Dinamos. Kjo penallti është kthyer në gol nga Poçi, falë një ekzekutimi perfekt. Më pas vendasit kanë këmbëngulur të ndryshojnë diçka për sa i përket rezultatit, por nuk ia kanë arritur në minutat në vazhdim. Për ish-trajnerin e Tiranës, Muça, kjo është fitorja e dytë rresht pas asaj me Apoloninë (3-1) në javën e 20-të. Dinamo, kampione në fuqi, u ngjit në kuotën e 35 pikëve, pesë më pak se Tirana e vendit të dytë (40 pikë). Flamurtari pësoi humbjen e tetë sezonale dhe duket se dhe Eqerem Memushi, trajneri i tretë sezonal i kuqezinjve vlonjatë, nuk po gjen dot "kurën" e duhur për një skuadër të paguar mirë. Kjo ishte fitorja e 63-të e Dinamos në 115 ndeshje me Flamurtarin (25 fitore). Në fazën e parë ndeshja midis këtyre dy ekipeve u mbyll në barazim 1-1.