E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të DUAM KëNGëT TONA!

Po ecja që me natë / Mes shkrepave pa ujë,

Takova te burimi / Një vajzë të bukur shumë

I thashë se mu dogj xhani / Moj vajzë me kaçurrela

Pak ujë këtij partizani / Të lutem nga bucela……

Nuk u besova veshëve! Kënga e dikurshme e A. Mulës "Vajza me kaçurrela" ishte ndryshuar, ishte konformuar, domethënë vargu ish trembur rendit të ri. Por s‘kuptova, vargu ish trembur nga rendi apo rendi ish trembur nga vargu. Ndala melodinë nën zë dhe urova mos të ecte më tej përdhunimi i këngës. Nuk ishte fjala për një këngë me partizanë e ballistë, por një këngë me një fabul shumë të thjeshtë: një partizan buzëtharë që sheh te kroi një vajzë të bukur me flokë kaçurrela dhe në një mënyrë a një tjetër, ashtu si ndodh në këngët e vjetra popullore, ngacmohet. Kaq. Dashuria në kohën e luftës ishte më e ndaluar se dashuria në kohërat e kolerës. Një këngë thuajse tradicionale, ku "kroi i fshatit" dhe vashat që "vijnë radhë-radhë" si në poezinë e Lasgushit dhe këngën e Tefta Tashkos, nuk kanë asnjë gjurmë lufte klasore.

Po, ishte ndryshuar i vetmi varg që të sillte ndërmend kohën e luftës antifashiste. Me një patos të pakuptimtë, "ajo shoqja", këngëtarja e re e këndonte këngën, guximshëm, të modifikuar. Vargun "pak ujë këtij partizani" e kishte ndryshuar dhe kthyer në "pak ujë këtij luftëtari". Cilit luftëtar, vallë?! Dhe, mbi të gjitha, pse kaq e frikshme fjala "partizan"? Kë tremb kjo fjalë?! Ne e këndonim këtë këngë dikur dhe parapëlqenim të ishim të gjitha ne gocat e të atij brezi që u rritëm me atë këngë, ajo "vajza me kaçurrela".

Nisa të kërkoj nëpër fjalorë si kishte lindur kjo fjalë. Dikur, në kohën që bëhej luftë, nacionalistët ishin kundër përdorimit të kësaj fjale dhe partizanët i quanin "njerëz të partisë". Të kishte qenë vërtet kështu? Fjalorët thonë jo. Sipas "Ethymological Dictionary" fjala "partisan" është përdorur për herë të parë në vitin 1555, pikërisht në vitin e botimit të parë shqip, dhe kishte kuptimin "one who takes part with another, zealous supporter"; fjalë me prejardhje prej italishtes, më saktë prej dialektit të Toskanës, në burim me formën "partigiano".

Ǒpatën me këngën? U mundova të sjell ndërmend këngët e ngjashme të popujve fqinjë. Si ishin sjellë ata me këngët e tyre pas luftës dhe pas ndryshimeve politike të viteve 1990? E para që më erdhi ndërmend ishte kënga e antifashistëve italianë "Bella, ciao!", që është kënduar për më shumë se 65 vjet nga qindra këngëtarë e kore, qysh prej bandës "Camicia rosa" të Modena-s deri te greku Dalaras, G. Bregovic, Yves Montand dhe pastaj kori masiv i Ushtrisë së Kuqe. Po përpiqesha të përfytyroja se si do të kishin reaguar italianët nëse dikush do të kishte pasur guximin dhe vargun "O partigiano, porta mi via" do ta kishte përshtatur politikisht si "kjo shoqja" jonë në formën, bie fjala: "O soldatino, porta mi via"! Ishte një përfytyrim i pamundur, sepse atje thjesht nuk ndodh. Sepse në një vend të qytetëruar dhe të lirë historia nuk interpretohet sipas çmendurive politike të kohërave që jetojmë.

Jam e sigurt se një kategori lexuesi e ka gati vërejtjen se kjo e italianëve është një këngë e lindur në kohë lufte, kurse "Vajza me kaçurrela" u kompozua pasi kishin kaluar gati 50 vjet nga koha e luftës, dhe u krijua që t‘u bënte qejfin veteranëve, mbështetjes themelore politike dhe sociale të bolshevikëve. Kjo është e vërtetë. Por po kaq e vërtetë është dhe se kënga fituese e San Remos "Italiano", kënduar nga T. Cutugno, u kompozua jo më herët se "Vajza me kaçurrela". Në këngën e Cutugno-s, pasi evokohen shumë e shumë vlera madhështore e minore për ta bërë një italian krenar pse është italian, vjen vargu përmbyllës: "Un partigiano come presidente!". Cutugno e kompozoi dhe e këndoi këtë këngë në kohën e "presidentit të të gjithë italianëve" ish-partizanit antifashist, Sandro Pertini. Për fat në Italinë fqinje nuk ka dalë ndonjë i lajthitur që t‘i bëjë atentat këtij vargu dhe ta shndërrojë në formën, bie fjala: "Un vechio soldato come presidente". Mund të imagjinoni se çfarë skandali do të pushtonte Italinë, vendin që gjatë viteve të para të luftës e sunduan "camicie nere" të fashizmit, sikur dikush të kërkonte ndryshimin e tekstit të këngës dhe të censuronte fjalën "partigiano". Në vendin ku për afro dy dekada lulëzoi fashizmi jo vetëm që nuk trembet kush nga kënga antifashiste dhe nga fjala "partizan", por antifashizmi dhe lufta partizane janë krenaria e dikurshme dhe sotme e vendit.

Nuk është vetëm kënga partizane ajo që po provon atentatet e konformizmit poshtërues të kohës. Janë të gjitha përmendoret e asaj lufte që po pushkatohen për së dyti, pasi u vranë e u pushkatuan vetë protagonistët e tyre. Në emër të idealeve të një epoke të re marrëzia shkatërrimtare rrëzoi përdhe barelievin kushtuar 106 viktimave të masakrës naziste në Borovë në verën e vitit 1943. Autoritetet e Gjermanisë së sotme, të vëna në dijeni për këtë fakt, ngarkuan njerëz dhe dhanë buxhet që barelievi të ndërtohej përsëri, sepse historia ashtu kishte qenë dhe "nuk bën kështu". Pesë heronjtë e Vigut u dëbuan nga qendra e qytetit për t‘ua gjetur vendin atje ku derdhen plehrat. Kur një ditë në portinerinë e ndërtesës ku punoj gjeta një ftesë që njoftonte "Paskalin e ringjallur" besova se dikush ishte kujdesur të ngjiste copë pas cope, afro 20 statuja dhe statueta të shkatërruara me tokmak dhe me sharrë elektrike në vitet 1991-1997, të gjitha me subjekte nga lufta antifashiste. Por nuk ishte ashtu. Nuk i kish ringjallur kush ato vepra apo ndoshta dhe kryevepra arti.

Një nga intelektualët më popullorë të Shqipërisë disa vite më parë qe shprehur se ekzorcimi i urrejtjes, i së njëjtës urrejtje që kishte mbjellë bolshevizmi, vetëm se tashmë me drejtim krejt të përkundërt, do të mund të quhej i kryer vetëm atëherë kur fëmijët që linden në këtë kohë të re do të pranojnë të luajnë luftash si partizanë apo si ballistë pa ndonjë frikë, drojë apo kompleks. Shqiptarët e Maqedonisë kanë tashmë një skuadër futbolli që quhet "Ballistët", ndërsa skuadër me emrin "Partizani" ka pasur e ka qysh nga ish-Jugosllavia. Dhe palët bëjnë tifozllëk sportiv sipas simpatisë. Me sa duket, me gjithë vonesat që ka shkaktuar zgjidhja e problemit të bashkëjetesës ndëretnike në Maqedoni, në lidhje me ndërgjegjen historike shqiptarët e atjeshëm kanë diçka të rëndësishme për të na mësuar.

Në Shqipëri këngët dhe përmendoret vjen një kohë që u bëhet atentat. Shtatorja e Çerçiz Topullit i ka ende në shtat plumbat e atentatorit. Ai që vjen dëshiron të monumentalizojë menjëherë vetveten.

Një pjesë e madhe e popullit shqiptar është me zemër të lënduar, përderisa sjellja e dhunshme përcakton vlerësimin e historisë dhe ua ndërron vendin protagonistëve të saj sipas pragmatizmit politik. Me sa duket keqkuptimi tragjik i gjithë luftës antifashiste botërore është burimi themelor që frymëzon stuhitë e urrejtjes së re, përveç vetë karakterit të ndërlikuar që pati vetë lufta në Shqipëri. Kur ish-kryeministri britanik W. Churchill dhe ish-presidenti amerikan, Roosewelt vendosën të shpallin tetë parimet e një aleance antifashiste botërore ishte mesi i gushtit të vitit 1941 dhe Bashkimi Sovjetik sapo kishte hyrë në luftë. Dy përfaqësuesit e demokracive të mëdha perëndimore themeluan një aleancë antifashiste, e cila u zgjerua më pas edhe me ushtrinë sovjetike; nuk themeluan një aleancë antikomuniste. Rendi i ri botëror që u vendos pas lufte qe rendi i moralit antifashist. Në vitet 1990, kur sistemi komunist në Lindje u shemb, nuk u shemb antifashizmi, por vetëm njëri krah i kësaj aleance. Dy demokracitë që themeluan kartën parimore të luftës antifashiste botërore janë të njëjtat edhe sot, asnjë parim nuk kanë ndryshuar, asnjë moral nuk kanë modifikuar. "Pak ujë këtij luftëtari" me gjithë xhentilesën prej sojliu të partizanit të lodhur që zbret nga malet, është një prej përdhunimeve më flagrante jo vetëm të historisë së luftës antifashiste në Shqipëri, por edhe ndaj parimeve antifashiste botërore në përgjithësi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›