E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia rrëzon Tiranën e rimerr fronin

Vetëm 6 ditë ka zgjatur mbretërimi i Tiranës në krye të tabelës së renditjes së kampionatit shqiptar të futbollit. Bardheblutë, që u ndalën në një barazim 0-0 me Elbasanin të shtunën, i ka rrëzuar dje nga kreu Vllaznia, e cila rikthehet në majën e klasifikimit në më pak se një javë. Shkodranët kanë mundur me rezultatin 2-0 me Lushnjën në "Loro Boriçi". Dhe protagonist i padiskutueshëm i kësaj fitoreje të rëndësishme ka qenë pa dyshim sulmuesi i kombëtares shqiptare, Xhevair Sukaj, i cili realizoi një dopjetë, nga një gol në çdo pjesë: 27‘ dhe 58‘.

Në fillim të takimit ishte Lushnja, ajo që rrezikoi të shënonte e para, por goli u është mohuar nga portieri Grima. Vendasit më pas dominojnë situatën dhe krijojnë një volum të madh loje, për rrjedhojë edhe shumë raste të humbura. Minuta e 25-të do të sillte golin e avantazhit për vendasit. Smajli me Boadunë kombinojnë shumë mirë nga e djathta, ganezi pason saktë për Sukaj brenda zonës së vogël dhe 1:0. Vllaznia prodhon sërish shumë, por nuk tregohet saktë para porte, ku kanë dështuar me radhë Sinani, Boadu, Nallbani etj. Lushnja përpiqet që të reagojë, por çalon ndoshta organizimi në lojën në mesfushë, por sigurisht edhe merita e Vllaznisë, që nuk i lë hapësirë kundërshtarit. Me rifillimin e lojës pas pushimit 15 minutësh, në të 54-ën minutë do të vinte goli i sigurisë për Vllazninë. Osja lëshon një top të gjatë dhe të saktë nga mesfusha për Shtubinën në të majtë të sulmit shkodran, futet në zonë, i cili pason saktë për Sukajn vetëm 3 metër larg nga porta dhe nuk e ka të vështirë të shënojë.

Pas ndeshjes trajneri Agim Canaj është shprehur i kënaqur, si për lojën e skuadrës, ashtu edhe për rikthimin në krye të tabelës. "Jam i kënaqur nga fitorja dhe vendi i parë, por mua nuk më kënaqi loja e skuadrës sime. Nëse një javë më parë në Elbasan u kënaqëm me lojën dhe jo me rezultatin, me Lushnjën ndodhi e kundërta. Po humbim shumë raste dhe kjo u pa në dy takimet e fundit, që për hir të së vërtetës, duhet të ndryshojmë. Sa i takon ndeshjes me Dinamon, për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, është një ndeshje e vështirë, ku Vllaznia do të kërkojë kualifikimin". Talenti shkodran, autor edhe i një triplete në fitoren 4-1 kundër Besës, u ngjit në kuotën e 5 golave, duke qenë golashënuesi i tretë më i mirë i kuqebluve pas Vioresin Sinanit (9) dhe Paulin Dhëmbit (6). Vllaznia pas javës së 21-të kryeson me 41 pikë, një më shumë se Tirana e vendit të dytë (40) dhe gjashtë me shumë se Dinamo e vendit të tretë (35), ku me këtë të fundit do të përballet të mërkurën e ardhshme në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Vllaznia është dhe skuadra që ka numrin më të madh të fitoreve: 12 në 21 javë të zhvilluara, regjistroi fitoren e 54-t historike në 88 ndeshje me Lushnjën. Më pas vendasit shpërdorojnë shumë, në një ndeshje që mund të ishte kthyer në goleadë, por fërshëllima triherëshe i gjen në rezultatin 2-0 për shkodranët, të cilët marrin kështu edhe një fitore tepër të rëndësishme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›