Dinamo mund Apoloninë, ikën Puka
Leonard Karaj
Dinamo vazhdon serinë e fitoreve, ndërsa ka marrë tre pikë edhe Vllaznia e Shkumbini në fushat e tyre. Barazim rrënqethës në sekondat e fundit të lojës në Krujë. Ndërkohë që Laçi-Tirana dhe Teuta-Besa mbyllin javën e 11-të dhe fazën e parë të Superiores.
Dinamo fiton sërish dhe “preja” e radhës u bë Apolonia. Blutë, me një ecuri mjaft pozitive deri tani, kërkuan të ruanin ritmin, por edhe diferencën prej 5 pikësh me Besën që e ndjek, duke e mbyllur fazën e parë pa asnjë humbje. Por ajo që bëri më shumë bujë sesa rezultati ka qenë dorëheqja e menjëhershme nga drejtimi i klubit i presidentit të fierakëve, Endri Puka. Ky i fundit shfryu gjithë inatin e tij ndaj treshes së gjyqtarëve, me në krye kryesorin Edvin Hoxha. Një penallti e pa dhënë për Apoloninë, por edhe goli në pozicion jashtë loje i Diopit, janë momentet që janë prekuar nga Puka. “Në këto dy vite që kam ushtruar funksionin si president i Apolonisë kam punuar me filozofinë që shumë shpejt Federata Shqiptare e Futbollit do të krijonte rregulla të barabarta loje për të gjitha skuadrat. Për fat të keq, të gjitha strukturat e FSHF-së, të cilat kanë kompetencat për të gjykuar, qofshin arbitra apo komisione, njohin vetëm dy gjuhë: dhunën dhe lekun. As unë dhe askush tjetër tek Apolonia nuk i njeh këto gjuhë, ndaj, duke qenë i bindur se autoritetet drejtuese të FSHF-së nuk kanë vullnet për ta reformuar dhe për të vënë standarde normale në futbollin shqiptar, kam vendosur që të jap dorëheqjen nga detyra e Presidentit të Apolonisë”, ka pohuar Endri Puka në një deklaratë për mediat. Ndërkohë, në pritje të ndeshjeve që do të luajnë sot, dy ndjekëset më të afërta të saj, Besa në Durrës dhe Tirana në Laç, Dinamo ndodhet e shkëputur tashmë plot 11 pikë. Po dje janë luajtur edhe tri ndeshje të tjera. Kastrioti ka befasuar, teksa është ndalur në barazim 1-1, në Krujë. Golit të Teqes për vendasit, i është kundërpërgjigjur në minutat shtesë Alvizh i Flamurtarit, që ka marrë një pikë të çmuar në Krujë. Te fitorja, që jep shpresë, është rikthyer Vllaznia. Ka mjaftuar vetëm një gol, shënuar nga mesfushori Osja, që kuqeblutë të mundin Gramozin. Në Shkodër është rikthyer Agim Canaj, por kësaj here jo si trajner i kuqebluve, por i Gramozit. Kolonjarët janë munduar shumë të dalin me një barazim nga “Loro Boriçi”, por nuk ia kanë dalë dot. Sepse goli i vetëm i ndeshjes ka bërë diferencën në këtë ndeshje, e cila, sa i takon lojës, ka qenë një ballafaqim i gjatë mes sulmeve shkodrane dhe mbrojtjes së përforcuar të miqve.