E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, tritol banesës së policit

 

VLORE - Shpërthim tritoli në banesën e një polici të paraburgimit të Vlorës. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të së enjtes, në tarracën e banesës së Fatmir Shkurtit. Banesa e tij njëkatëshe ndodhet në lagjen "24 maji". Sipas policisë, rreth orës 22:00 është dëgjuar një shpërthim, çka ka terrorizuar familjarët e gardianit, por edhe banorët që jetonin përreth. Pas zhurmës si dhe tronditjes që është ndjerë brenda në shtëpi, efektivi i policisë ka dalë menjëherë në oborr, por nuk ka parë asnjë njeri. Ai njoftoi policinë, e cila mbërriti në vend dhe konstatoi në tarracën e shtëpisë së Shkurtit një shenjë prej 22 cm në mes të saj, me thellësi rreth 1 cm. Në vendngjarje u gjet edhe një fitil dinamiti 15 cm i gjatë. Policia nisi hetimet, ndërsa dyshohet se shkak është detyra e gardianit.                                                                               q.b

Grinden për makinat, një i plagosur
DURRES - Një kamionist nga Peqini është përleshur me katër dibranë, pas përplasjes që mjeti i rëndë i drejtuar prej tij, i ka shkaktuar autoveturës. I armatosur me një thikë, 30-vjeçari Ardian Koni, lindur dhe banues në Peqin, ka qëlluar në bark në drejtim të njërit prej pasagjerëve të autoveturës, 21-vjeçarit Enald F, duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda në pjesën e mesme të trupit. I dëmtuari ndodhet i shtruar në spitalin rajonal të Durrësit, ku po i nënshtrohet një terapie intensive. Gjithçka ndodhi pas një sherri banal mes palëve, i cili u provokua nga aksidenti mes dy automjeteve. Burime të policisë saktësuan se ka qenë ora 13:30, kur në rrethrrotullimin e Shkozetit në Durrës, kamioni i drejtuar nga Koni, është përplasur duke dëmtuar dyert e "Benz"-it me targë të Dibrës. Pas përplasjes me fjalë, Koni ka reaguar me armë të ftohtë përballë 4 udhëtarëve, duke plagosur njërin prej tyre.            o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›