E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, arrestohet vrasësi i emigrantit

 

Arrestohet ekzekutori i emigrantit Arben Visha, vrau për të marrë gjakun e vëllait. Policia e Tiranës konfirmoi dje se  ka vënë në pranga 41-vjeçarin Bajram Dara, të dyshuar si autor i vrasjes së emigrantit Arben Visha, 38 vjeç, i ekzekutuar mbrëmjen e 10 ditëve më parë te “Kafja e Rremës” në kryeqytet. Burime zyrtare të policisë deklaruan mesditën e djeshme se specialistët seksionit Kundër Jetës dhe Shëndetit, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, mundësuan ndalimin e të dyshuarit si autor i ekzekutimit të Vishës, ndodhur rreth 10 ditë më parë. Sipas policisë Dara, me banim në kryeqytet, më datë 11 nëntor  rreth orës 20:20 në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Arben Visha. Paraprakisht policia dyshon se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrje. Hasmëria midis dy familjeve Dara dhe Visha ka nisur në vitin 1997, kur viktima Arben Visha ka vrarë me thikë pas një sherri banal vëllain e të arrestuarit të djeshëm Bajram Dara. Për më tepër, atëherë u arrestua vëllai tjetër i Darës, i akuzuar për vrasjen e vëllait, ndërsa për Vishën nuk u arrit të gjendeshin prova. Në këtë mënyrë ai i shpëtoi marrjes në përgjegjësi penale. Të arrestuarit për vrasjen e vëllait iu desh të kalonte 5 vite në qeli derisa organet e drejtësisë arritën në konkluzionin se ai ishte i pafajshëm. Sipas policisë së kryeqytetit, kjo ishte një tjetër arsye që e kishte shtyrë të arrestuarin e djeshëm Bajram Dara, për të menduar se personi që kishte vrarë me thikë në vitin 1997, vëllain e tij ishte pikërisht emigranti Arben Visha, dhe jo vëllai i tyre që vuajti padrejtësisht në qeli 5 vite burg. Ndërkohë, viktima, Arben Visha ka qenë i arrestuar në vitin 1997 i akuzuar për një vrasje, por që më pas ka dalë i pafajshëm. Po kështu njëri nga vëllezërit e tij dyshohet se është përfshirë në një tentativë vrasjeje, duke bërë që të shtoheshin hasmëritë e familjes Visha. Për këtë shkak viktima Arben Visha jetonte në Greqi prej 12 vitesh, ndërsa kishte ardhur pak ditë më parë në Tiranë ku do të qëndronte vetëm pak kohë. Në momentin e vrasjes së tij policia pohoi faktin se Visha jetonte familjarisht në Greqi, për shkak të hasmërisë së mbartur që nga viti 1997. Po kështu blutë pohuan se Visha ndodhej në ditët e fundit e qëndrimit të tij në Shqipëri pasi pritej të kthehej sërish në Greqi. Momentin e ekzekutimit viktima Arben Visha, kishte dalë nga një kafe ku kishte qenë me disa shokë dhe teksa kthehej në këmbë në distancën rreth 100 metra nga lokali për në banesë. Ai është qëlluar për vdekje fare pranë portës së shtëpisë nga të paktën dy plumba, ndërsa ka ndërruar jetë në një makinë të rastit, rrugës për të shkuar për ndihmë mjekësore në spital. Policia sekuestroi 8 gëzhoja të një pistolete tip “TT”, e cila iu sekuestrua dje së bashku me makinën të arrestuarit. fa.ma.

Arrestimi për vrasje
Policia e kryeqytetit tha pas ngjarjes ku u ekzekutua Arben Visha, se ky person rezultonte i arrestuar në 26 nëntor të vitit 1997, si i dyshuar për bashkëpunim në vrasjen e Njazi Pëllumbit, në fshatin Vilcë të Tiranës. Autorësinë e ngjarjes e ka marrë Mine Pëllumbi, e shoqja e viktimës, me të cilën Visha kishte pasur një lidhje intime sipas versionit të policisë në atë kohë.

Hasmëria filloi në 1997
TIRANE – Bajram Dara 41-vjeçari i arrestuar dje për ekzekutimin e emigrantit Arben Visha, sipas policisë e ka kryer krimin në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij në vitin 1997. Hetimi paraprak ka nxjerrë se njëri nga dy vëllezërit e Darës është vrarë me thikë në Kamëz gjatë rrëmujave të vitit 1997, ndërsa për krimin u arrestua vëllai tjetër i tyre. Ai kaloi pesë vite në qeli derisa çështja u zbardh dhe mori pafajësinë, ndërsa familjarët e viktimës hodhën dyshime se autori ishte Visha. Por gjatë 12 viteve ata nuk arritën ta ekzekutonin pasi ai jetonte në Greqi familjarisht. Sapo ka mësuar lajmin e mbërritjes së tij në Tiranë, policia pohon se Dara është vënë në lëvizje duke survejuar itinerarin e tij. Për këtë mendohet se ka vepruar me bashkëpunëtorë, të cilët pritet të zbardhen gjatë hetimit që ka nisur për këtë çështje, momentalisht policia pohon se ka sekuestruar në cilësinë e provave, armën e krimit dhe mjetin me të cili ka lëvizur Bajram Dara.  f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›