Tetë shqiptarë arrestohen në Itali,shisnin kokainë fshehur në çimento
ITALI – Në jetën e përditshme shfaqeshin si punëtorë ndërtimi, por në të vërtetë ky ishte vetëm maskimi i një grupi shqiptar shpërndarësish droge në Itali. Policia e Pesaros në vendin fqinj arrestoi dje tetë persona me kombësi shqiptare me akuzën e prodhimit dhe shpërndarjes së kokainës. Grupi i shqiptarëve shpërndante rreth 1 kilogramë lëndë narkotike çdo javë, duke e fshehur atë në ambalazhet e çimentos. Për këtë arsye, operacioni policor i ndërmarrë nga autoritetet policore italiane është koduar “Çimento”. Në përfundim të operacionit nga policia trafikantë shqiptarë iu janë sekuestruar drogë dhe armë. Lajmi u bë i ditur dje nga agjencitë e lajmeve në vendin fqinj. “Tetë shqiptarë janë arrestuar nga Guardia di Financia e Pesaros në kuadrin e një operacioni antidrogë të koduar ‘Çimento’, që ka sjellë në shkatërrimin e një rrjeti kriminal i angazhuar në përgatitjen dhe shpërndarjen e kokainës”, citonin dje mediat italiane. Policia italiane nuk bënte të ditur dje emrat e të ndaluarve, si edhe burimin e sigurimit të sasisë narkotike, që përgatitej dhe shpërndahej në vazhdim nga grupi. Mësohet se grupi i shpërndarësve “operonte” në zonën e Cervias, Pesaros dhe Fanos. Referuar burimeve policore italiane, anëtarët e grupit shpërndanin një sasi prej gjysmë kilogrami kokainë çdo jave. Mësohet se për shkak të pastërtisë së lartë të lëndës narkotike vlera e saj arrinte në 50 mijë euro. Ndër të tjera bëhet e ditur se gjatë operacionit nga ana e policisë italiane janë sekuestruar 200 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë, 10 mijë euro “të thata” dhe dy automjete, një furgon dhe një autoveturë, të cilat janë përdorur për trafikun e lëndës narkotike. Gjithashtu, pas kontrolleve në banesat e të arrestuarve policia ka sekuestruar edhe një pistoletë gjysmë automatike tip “beretta”, një revolver “smith & ëesson”, një pistoletë “mod. 92” dhe disa municione të tjera. Sipas mediave italiane, sasia e armeve të sekuestruara dëshmonte rrezikshmërinë jo të vogël të grupit të shqiptarëve. Bëhet e ditur se hetimet për grupin e trafikantëve kishte filluar disa muaj më parë. Ndërsa dje policia italiane ekzekutoi fletët e arrestit të lëshuara nga Gjykata e Pesaros. a.b