E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, prokurorët kundër kontrollit të Ministrisë

 

TIRANE – Prokurorët e kryeqytetit kanë përfunduar dhënien e oponencës së tyre me shkrim mbi një raport inspektimi të Ministrisë së Drejtësisë e cila pretendon për të paktën 300 shkelje në dosjet e hetuara nga organi i akuzës në kryeqytet. Sipas burimeve nga organi i akuzës, mësohet se pas kryerjes së inspektimit nga Ministria e Drejtësisë, raporti me shkeljet e gjetura u paraqit në Prokurorinë e Përgjithshme e cila menjëherë u kërkoi sqarime me shkrim prokurorëve që kishin hetuar dosjet “problematike”. Pas disa javësh kohë e cila iu la në dispozicion prokurorëve për të bërë kundërshtimet dhe oponencën e tyre, ata kanë përfunduar dhënien e sqarimeve me shkrim në lidhje me shkeljet e pretenduara nga Ministria e Drejtësisë. Kjo e fundit ushtroi në fillim të këtij viti një inspektim mbi dosjet e hetuara në periudhën mesi i vitit 2007 dhe gjithë viti 2008. Prokurorët kanë konstatuar se ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë kanë bërë akuza të pabaza pasi në dosje gjenden akte për të cilat Ministria ka pretenduar se nuk janë kryer. Po kështu prokurorët thonë se kontrolle të mëparshme në të njëjtat çështje, i kanë konsideruar të rregullta dosjet e pretenduara me shkelje nga inspektorët e Ministrisë.    tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›