E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo mundet nga Vllaznia, fitojnë Tirana e Besa

TIRANE-Dinamo ka shtyrë festën e titullit kampion, duke u mundur 2-1 në “Qemal Stafa” nga Vllaznia. Skuadra e Shkëlqim Muçës ka lëshuar shumë në momentet e fundit, duke pësuar dy gola edhe pse ishte në kryesim 1-0. Emiljano Vila realizoi për blutë në minutën e 52-të, por 8 minuta para fundit Nika arrin të barazojë pas një rrëmuje në zonë. Vetëm 3 minuta pas golit të barazimit, shkodranët marrin një penallti të shkaktuar nga Arjan Pisha, i cili del me karton të kuq. Nga pika e bardhë Rajoviç i ka dhënë fitoren skuadrës së Vllaznisë, e cila tashmë ngjitet në kuotën e 39 pikëve në renditje. Ndërkohë, Besa është rikthyer te fitorja, duke mundur 2-0 në Kavajë Apoloninë. Bledi Shkëmbi shënoi për skuadrën e Duros në minutën e 42-të, ndërsa në minutën e 57-të ishte Vioresin Sinani ai që mbylli llogaritë me këtë sfidë. Besa me këtë fitore ngjitet në kuotën e 43 pikëve, duke ruajtur vendin e dytë në klasifikim. Fitore edhe për Tiranën, që në “Selman Stërmasi” ka mposhtur 2-1 Teutën. Devolli shënoi një supergol në minutën e 8-të të pjesës së dytë, ndërsa ishte Gjergji Muzaka ai që dyfishoi shumë shpejt shifrat. Pak minuta para fundit durrsakët u rikthyen në lojë, pas një autoli të Devollit, megjithatë nuk arritën të dilnin me pikë nga kryeqyteti. Ndërsa sfida e Korçës mes Skënderbeut dhe Flamurtarin, përfundoi me fitoren 1-0 të skuadrës vlonjate. Goli i Veliut i dha fund serisë prej 6 fitoresh radhazi të skuadrës korçare, ndërsa shkëputi Flamurtarin nga zona e ftohtë. Ndeshja kishte një interesim të jashtëzakonshëm, pasi në stadium ishin të paktën 6 mijë tifozë, megjithatë ishin vlonjatët që dinin të triumfonin. Ndërkohë, “derbi” për zonën e Evropës mes Laçit dhe Shkumbinit ka përfunduar në barazim pa gola, ç’ka i largon këto dy skuadra nga dyshja Tirana-Besa. Në takimin tjetër, të luajtur në Ersekë, Gramozi pësoi humbjen e radhës, duke u mundur 1-0 nga Kastrioti. Takimi i luajtur në një stadium të boshatisur për shkak të dënimit të fushës së Ersekës, u vendos nga një gol i realizuar në pjesën e parë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›